Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë së shpejti një fushatë informimi në lidhje me paketën fiskale të vitit 2019.
Përmes kësaj fushatë, synohet të informohen tatimpaguesit e çdo fashe qarkullimi, për ndryshimet e legjislacionit tatimor, të cilat hyjnë në fuqi nga data 1 janar 2019.
Pjesë e informimit do të jenë edhe ndryshimet e akteve ligjore dhe nënligjore që kanë hyrë në fuqi gjatë vitit 2018.
Ndër veprimet kryesore që parashikohen të ndërmerren janë. Përditësimi i ndryshimeve ligjore dhe publikimi i tyre në web, përditësimi i materialeve të platformës informuese në web (broshura/video), informimi i punonjësve të shërbimit të tatimpaguesit për ndryshimet ligjore, trajnimi i punonjësve të shërbimit të tatimpaguesve, takime me tatimpaguesit (kontabilistë, ekonomistë) në drejtoritë rajonale tatimore, vizita informuese në biznese nga punonjësit e shërbimit të tatimpaguesve në DRT-të për trajnimin dhe informimin, DPT do të angazhojë ekspertët më të mirë të fushës.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjithashtu do të përdorë edhe mjetet e komunikimit elektronik, si faqen e internetit www. tatime.gov.al, Facebook dhe kanalin në Youtube.
Punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesit në Drejtoritë Rajonale Tatimore do të angazhohen për shpërndarjen e materialeve informuese, afishimin e njoftimeve në ekrane, orientimin në sportele për tatimpaguesit dhe individët e interesuar, si dhe do të realizojnë vizita të dedikuara informuese në mjediset e ushtrimit të aktiviteteve ekonomike.
Prezantimi i Paketës Fiskale 2019 synon informimin e publikut tatimpagues për këto ndryshime ligjore, me qëllim rritjen e nivelit të përmbushjes, si dhe deklarimit e pagesës në mënyrë korrekte të detyrimeve tatimore.