November 23, 2024

Imzot George Frendo: Njeriu nuk ka pse korrupton për të marrë atë që i takon

Imzot George Frendo O.P. Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë Durrësit, ka lëshuar një mesazh paqeje, dashurie dhe harmonie për të gjithë besimtarët katolikë për Krishtlindje.

Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, Frendo thotë se njeriu nuk ka pse të korruptojë njeri për të marrë atë që i takon. Arqipeshkvi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, thotë se njerëzit duhet të respektojnë dinjitetin e njëri-tjetrin dhe se në këto Krishtlindje duhet që t’i japim dorën të gjithë atyre që kanë nevojë.

Ja mesazhi i plotë:

Krishtlindja na fton të mësojmë nga një foshnjë. Së pari, ai na mëson dinjitetin e njeriut, e çdo njeriu. Në fytyrën e Jezusit fëmijë shohim fytyrën e çdo njeriu, mashkull ose femër, i bardhë ose i zi, i ditur ose i pashkolluar.

Me ardhjen e tij në botë Jezusi ka shtruar themelet për një dinjitet të ri për njeriun. Nga grazhdi Jezusi na urdhëron të respektojmë dinjitetin dhe të drejtat e çdo njeriu.

Prandaj njeriu s’ka nevojë të afrojë një deputet që t’i ofrohet puna, s’ka nevojë të paguajë një kirurg në një spital publik që të bëjë një operacion, s’ka nevojë të korruptojë një gjyqtar që të marrë vendimin e drejtë në gjykatë, s’ka nevojë të pijë drogë që të gjejë gëzim, as ka nevojë të lypë nëpër rrugë që të fitojë bukën e ditës.

Në shpellën e Betlehemit shohim një familje. Është një familje e thjeshtë, e varfër, por shumë e lumtur. Asnjëri nuk e dëgjon dënesën e kësaj foshnjeje, përveç prindërve, njerëz të thjeshtë.

Nuk e dëgjon Herodi, në pallatin e tij; as e dëgjojnë priftërinjtë e popullit, në tempullin e tyre. Por e dëgjojnë i ati, Jozefi, një marangoz, dhe e ëma, Maria, shtëpiake.

Megjithatë jemi të ftuar t’i afrohemi grazhdit ku është shtrirë Jezusi, dhe të dëgjojmë dënesën e Jezusit. Por dënesa e tij përzihet me një buzëqeshje. Po, ai na buzëqesh, dhe buzëqeshja që ai i drejton secilit prej nesh tregon pastërtinë e syve të tij. Po, sytë e Jezusit janë të pastër, të kthjellët.

Ai nuk përdor syzë të errëta. Na shikon pa paragjykime. Të gjithë jemi shumë të bukur para syve të tij. Le të mësojmë, nga shikimi i tij, si të shikojmë njëri-tjetrin. T’u japim dorën atyre të cilëve ua kemi mohuar deri tani.

Kemi zbuluar Krishtin. Kemi gjetur një rrugë të re që na çon drejt gëzimit të vërtetë. Ky është gëzimi ynë, gëzimi që tregohet në këtë fëmijë të brishtë. Ky është urimi im për ju me rastin e Krishtlindjes. Gëzuar Krishtlindjen! Rroftë Jezusi fëmijë.

Facebook Comments

MineralHygienics.com