Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se 167 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të Bashkimit Europian për periudhën 2011-2017. Ndërsa vetëm për 11 mujorin e vitit 2018 janë shtuar edhe 16 mijë aplikime të tjera, duke e çuar numrin total të aplikantëve në 183 mijë.
Më shumë se gjysma e individëve që kanë emigruar për periudhën 2011-2017 kanë aplikuar për azil. Azilantët përbënin 53% të të larguarve. Sipas INSTAT nga vendi janë larguar gjithsej gjatë kësaj kohe 317 mijë persona.
Viti 2015 shënoi rekordin më të lartë të numrit të azilantëve shqiptarë sipas të dhënave nga Eurostat, me 68 mijë e 900 aplikime. Pas atij viti flukset e azilkërkuesve në vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë qenë në rënie. Në 2016 numri i azilkërkuesve në vendet e BE-së ishte 32 mijë e 900 dhe në 2017-n ishte rreth 26 mijë.
Referuar shteteve, pjesa më e madhe e kërkesave për azil gjatë periudhës 2011-2017 janë përqendruar në Gjermani. Sipas të dhënave për Eurostat ka pasur 90,335 kërkesa nga shqiptarët, ose 54% e kërkesave totale. Përveç individëve që kanë aplikuar për azil është rritur edhe numri i të larguarve me kontrata pune drejt Gjermanisë. Aktualisht Gjermania është një destinacion i preferuar për profesionet e mjekëve dhe infermierëve. Së fundmi qeveria gjermane ka prezantuar një legjislacion më në favor të emigrantëve për pajisjen e tyre me leje qëndrimi.
Vendi i dytë me numrin më të lartë të azilantëve është Franca, me rreth 40.6 mijë aplikime, ose 24%. Vitet e fundit Franca zinte vendin e parë për numrin më të lartë të aplikimeve të shqiptarëve, duke qenë se Gjermania ndoqi politika më shtrënguese për pranimin e kërkesës duke qenë se iu dha prioritet aplikimeve të individëve që largoheshin nga konfliktet. Bashkimi Europian pas luftës që shpërtheu në Siri u gjend përpara një krize humanitare.
Mbretëria e Bashkuar është vendi i tretë për sa i përket përqendrimit të aplikimeve për azil me 12.4 mijë.
Në pesë vendet me numër të lartë të azilantëve është edhe Suedia me Greqinë, ku për periudhën 2011-2017, numri i kërkesave për azil ishte përkatësisht 9300 dhe 9200.
Edhe vendet e Beneluksit kanë qenë tërheqëse për sa i përket aplikimeve. Belgjika ka pasur në këto vite rreth 7000 aplikime nga shqiptarët, ndërsa në Holandë me rreth 3700 aplikime. Ndërsa në Luksemburg kanë aplikuar rreth 1000 shqiptarë.
Në Itali, edhe pse është vendi që ka strehuar më së shumti emigrantët shqiptarë, numri i azilantëve për këtë periudhë është 2300. Për shkak të numrit të madh të komunitetit shqiptar në Itali, është më e lehtë të sigurosh leje qëndrimi nëpërmjet kontratave të punësimit, ndaj kërkesat për azil janë të ulëta.