November 25, 2024

Shkarkohet Bashkim Dedja, Kolegji i Apelimit rrëzon kreun e Kushtetueses

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, duke arsyetuar se ai nuk kishte arritur një nivel të besueshëm në deklarimin e pasurisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, duke arsyetuar se ai nuk kishte arritur një nivel të besueshëm në deklarimin e pasurisë. Vendimi për Dedjen u mor të hënën, pas tre seancash.

Dedja ishte konfirmuar më 13 qershor me shumice votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me mendimin në favor të kryesueses Valbona Sanxhaktari dhe anëtarit tw trupit gjykues, Roland Ilia, ndërkohë relatorja e çështjes Xhensila Pine votoi kundër konfirmimit të tij në detyrë.

Vendimi i KPK u apelua nga Komisioneri Publik pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar tw Monitorimit, ONM, për kriterin e pasurisë, duke arsyetuar se sa i përket kriterit të pasurisë vendimi i KPK-së nuk ka qenë i bazuar në prova.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i udhëhequr nga Ardian Hajrdari si kryesues, Luan Daci relator dhe gjyqtaret Albana Shtylla, Rezarta Schuez dhe Natasha Mulaj, vendosi për herë të parë të prishë një vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke pranuar arsyetimet e Komisionerit Publik ndërsa vendosi shkarkimin e Dedjas.

Gjatë parashtrimit të mbrojtjes përpara Kolegjit, Dedja dhe avokati i tij Maksim Haxhia kundërshtuan ankimin dhe  akuzuan Komisionerin Publik, Darjel Sina se ishte në konflikt interesi, kishte përdorur standarde të dyfishte dhe ishte treguar dashakeq.

KPA i dha të drejtë Komisionerit Publik, sipas të cilit Dedja kishte probleme në justifikimin e pasurisë dhe burimin e ligjshëm të saj  e të personave të lidhur për tre asete, përfshi një apartament 98m2 në Tiranë i blerë në vitin 1997, një apartament 146 m2 dhe një garazh në kompleksin ‘Nobis’ në Tiranë dhe një apartament në përdorim në Golem me sipërfaqe 60 m2.

Përsa i përket apartamentit 98 m2 në Tiranë, Komisioneri Publik shprehet se gjyqtari ka mospërputhje të deklaratës periodike me deklaratën veting dhe ka bërë deklarim të pasaktë pasurie, pasi në deklaratën e vitit 2003 ka dhënë vlerën 1.7 milionë lekë, ndërkohë që vlera sipas kontratës e apartamentit është 1.8 milionë lekë. Gjithashtu Sina nënvizoi se për këtë pasuri subjekti ka mungesë burimesh të ligjshme.

Pasuria tjetër për të cilwn komisioneri Sina ngriti dyshime që u konfirmuan nga KPA është apartamenti 146 m2 dhe 15 m2 garazh, në kompleksin ‘Nobis’ në Tiranë, i blerë për 180,000 euro. Blerja e këtij apartamenti është financuar me 120,000 euro kredi bankare nga BKT, kursime familjare dhe të ardhurat nga paga, si dhe hua pa interes nga kunati Edmond Cani dhe vëllai i subjektit Mensur Dedja, në vlerat respektive 10,000 euro dhe 15,000 euro. Sipas Komisionerit, të dy personat e lidhur – vëllai i gjyqtarit dhe kunati, nuk i justifikojnë huatë e dhëna ndaj subjektit me të ardhura të ligjshme.

Ndërkohë, një apartament 1+1 prej 60 m2 në Golem rezultoi gjithashtu me probleme për Dedjen. Ky apartament është i regjistrua në emër të vëllait të ish-gjyqtarit, Latif Dedja me banim në Dibër. Por për këtë aset që nga viti 2003, subjekti ka një kontratë energjie elektrike me OSHEE dhe ka bërë pagesat e energjisë elektrike, çfarë sipas Komisionerit Publik krijon dyshime të arsyeshme se është një pasuri e fshehur e subjektit. Në përgjigje të pyetësorëve të KPK-së, kreu i Kushtetueses ka deklaruar se e ka përdorur këtë aset për periudha të shkurtra gjatë verës.

Sa i përket apartamentit në Golem, Dedja kontestoi konsiderimin e vëllait të tij, Latifit si person të lidhur, duke u shprehur se nuk ishte në kushtet e huadhënies siç parashikon ligji. Mospranimi i barrës së provës për këtë pasuri, po ashtu ka shkuar kundër Dedjes në vendimin e KPA.

Bashkim Dedja, drejtoi prej vitit 2012 Gjykatën Kushtetuese dhe sëbashku me Vitore Tushën ishte një nga dy gjqytarët e saj që kaluan fazën e parë të vetingut. Por ndërsa vendimi për Tushen u bë përfundimtar, vendimi për Dedjen u apelua duke sjellë shkarkimin e tij.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com