Ditën e sotme ALUIZNI ka publikuar listën e familjeve dhe biznesve që skualifikohen nga leglizimi në Unazën e Re.
Janë plot 107 familje të cilat skualifikohen nga ALUIZNI duke bërë që të mos përfitojnë asgjë nga shteti.
Rikujtojmë se këto familje protestojnë në kohë të mirë e të keqe prej 24 ditësh duke kundërshtuar shembjen e banesave.
“Prej dy muajsh ALUIZNI ka filluar një punë paraprake për evidentimin e objekteve pa leje që preken nga projekti i Unazës së Madhe. Kjo punë u bë mbi bazën e projektit paraprak të miratuar nga Këshilli Teknik i ARRSH-së dhe përcjellë datë 27.09.2018.
Me Vendimin Nr. 1 datë 20.11.2018, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Projektin “Rehabilitimi i Segmentit rrugor Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja, Bashkia Tiranë”.
Mbi bazën e këtij projekti, drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë, vijuan procedurat e përjashtimit nga procesi i legalizimit të objekteve që prek ky projekt.
Aktualisht po paraqesim Listën e subjekteve që skualifikohen nga procesi i legalizimit, për shkak të zbatimit të projektit të Unazës së Madhe. Vendimet e skualifikimit, që prej ditës së sotme, i janë përcjellë zyrtarisht secilit subjekt të interesuar me rrugë postare.
Është e kuptueshme që për shkak të problematikave në terren, mund të ketë qytetarë që megjithëse posedojnë objekte në gjurmën e Projektit të miratuar, nuk e gjejnë veten në listen e publikuar.
Ftohen në vijim këta qytetarë, të paraqiten pranë zyrave të Drejtorive të ALUIZNI-t Tiranë, për të sqaruar problematikën e tyre.
Përfitojmë nga rasti që të ftojmë qytetarët të cilët e gjejnë veten brenda kësaj liste, të aplikojnë pranë Bashkisë Tiranë, për përfitimin e qerasë dhe strehimit social.
Nga ana tjetër, sqarojmë se subjektet me leje legalizimi, subjektet me certifikatë pronësie të ligjshme, apo subjekte të tjera me pronësi të vjetër të certifikuar, nuk janë pjesë e kësaj liste, pasi ata janë përfshirë në listen e shpronësimeve për interes publik, që po harton ARRSH-ja.
ALUIZNI, së bashku me ZRPP, ARRSH dhe Bashkinë Tiranë, me grupet e tyre të përbashkëta të punës, mbeten në dispozicion të qytetarëve për çdo lloj sqarimi, verifikimi dhe plotësimi dokumentar.
Për të ndihmuar qytetarët, mund të shfrytëzohet edhe çdo kontakt i mundshëm si vijon:
Telefon: 067 54 02 036 Fb: www.facebook.com/aluizni/ Faqja: www.aluizni.gov.al