Ekonomia e Shqipërisë ka prirje rritëse, por në të njëjtën kohë mbetet ende shumë për të bërë që ajo të jetë më e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe sidomos amortizuese për emigracionin, tha sot përfaqësuesi i misionit të FMN-së në vendin tonë në një konferencë të përbashkët për median bashkë me Ministrin e Financave. Ai tha se qeveria shqiptare duhet të zbatojë reforma strukturorë në mënyrë që të dekurajojë emigracionin e lartë. Reforma të tilla ai renditi, përmirësimin e klimës së biznesit, reformat në shtetin ligjor dhe luftën ndaj korrupsionit.
“Parashikojmë rritje ekonomike 4% këtë vit dhe 3.7% vitin e ardhshëm. Ndërsa në periudhë afatmesme shkalla e rritjes do të jetë 4% e mbështetur nga rritja e eksporteve dhe investimeve në infrastrukturë dhe turizmit”, tha përfaqësuesi i Misionit të FMN-së.
Ai tha se rreziqet ndaj ekonomisë shqiptare vlerësohen në rënie. Shqipëria është ekspozuar nga rreziqet me vendet partnere në Europë, dobësitë e të cilave do të ndikonin negativisht në investimet e huaja, të ardhurat nga emigrantet dhe eksportet.
Ndërsa në rrafshin fiskal FMN sugjeroi se konsolidimi fiskal duhet përshpejtuar.
“Nevojitet ulja e deficitit fiskal. Ne projektojmë se në mungesë të masave fiskale shtesë deficiti fiskal do të jetë jo më pak se 2% e PBB-së. Reduktimi i borxhit publik do të jetë më i ngadaltë se pritjet tona”, tha eksperti i Fondit.
Për të arritur 60 % të PBB-së, siç pretendojnë autoritet shqiptare, deri më 2021 duhen korrigjime të mëtejshme fiskale, sugjeroi eksperti i huaj, i cili la të kuptojë se nëse të ardhurat nuk rriten e shumë se ritmet aktuale dhe në rast se nuk ka rritje taksash ky objektiv që qeveria shqiptare i ka vënë vetes vështirë të realizohet.
Ai tha se, duke pasur parasysh mungesën e hapësirave fiskale autoritet duhet të anulojnë përjashtimet fiskale dhe të mos aplikojnë të reja.
Eksperti FMN tha se, rritja e shpejtë e PPP-ve kërkon përmirësime shtesë në të gjitha nivelet e qeverisjes, ndërsa kërkoi që rritja e detyrimeve të prapambetura duhet të trajtohet pa vonesë.
Reformat e planifikuara për ta bërë sektorin energjetik më të qëndrueshëm nga ana financiare duhet të vijojnë shtoi ai më tej.
FMN vlerësoi se, politika monetare u zbeh nga mungesa e politikave strukturore. Ulja e këtyre pengesave do të ndihmonte kreditimin.
“Autoritet monetare kanë ndërhyrë në kursin e këmbimit, por ne i nxisim ato që më kohë këto ndërhyrje të zbehen”.
“Bankat nga vendet jo BE po rriten, ndaj Banka e Shqipërisë duhet të forcojë më tej rregulloret e mbikëqyrjes pasi ka ende disa elementë shqetësues. Kreditë më probleme duhet të ulen me tej dhe strategjia e deurozimit duhet të zbatohet”, tha eksperti i FMN-së.