Mbi 100 raste të frutave, kryesisht luleshtrydheve, janë denoncuar në Australi dhe në rrjetin e tyre të furnizimit ku ata operojnë pasi në fruta u gjetën gjilpëra.
Pas një investigimi dy mujor është arrestuar një grua 50-vjeçare, e cila ishte menaxhere në një fermë në Queensland dhe thuhet se ajo është përgjegjësja për përhapjen e këtij fenomeni që mund të rezultonte fatal.
E arrestuara është My Ut Trinh, e njohur si Judy, e cila u prangos ditën e djeshme pasi hetimi policor e lidhi ADN-në e saj me gjilpërën e parë të zbuluar, e cila po ashtu i përkiste fermës së Queensland.
Mendohet se 50-vjeçarja e kishte marrë këtë vendim pasi ishte e pakënaqur me punëdhënësit e saj dhe shpesh herë kishte shprehur dëshirë mes punëtorëve për ta rrëzuar kompaninë ku punonte.
Judy akuzohet për futjen e gjilpërave në luleshtrydhe duke shkaktuar krizën e ndotjes që çoi në një varg incidentesh në të gjithë Australinë dhe në tregun jashtë saj ku operon.
Një ditë para se një gjilpërë të gjendej në luleshtrydhet e fermës, thuhet se Judykishte njoftuar punonjësit se edhe pak ditë dhe shërbimet e tyre nuk do të ishin më të nevojshme duke parashikuar kështu rrëzimin e fermës.
50-vjeçarja akuzohet për shtatë shkelje lidhur me kontaminimin e mallrave dhe dënimi i saj maksimal shkon në 3 vite. Por përveç kësaj, do të shikohen edhe rrethanat që ia përkeqësojnë pozitën, pasi dëmi i saj financiar ishte kolosal dhe kështu dënimi i saj mund të shkojë edhe deri në 10 vite burg.
Judy u kap falë bashkëpunimi të punëtorëve në industrinë e luleshtrydheve, teksa dy muajt e fundit kjo industri u kthye në më të sulmuarën pasi rastet e gjilpërave të gjetura brenda luleshtrydheve u quajtën “terrorizëm ushqimor”.