November 24, 2024

Basha në Maliq: Do ta nisim duke rritur pensionet, 25 mijë lekë minimali

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka pasur një bashkëbisedim me banorët e Pirgut në Maliq. Basha foli për alternativën e opozitës për ringritjen e bujqësisë, e cila mbështetet në 3 shtylla: subvencionet direkte,  Investimet në infrastrukturë dhe mbrojtja prodhimit vendas me tarifat doganore. Po ashtu, ai bëri një deklaratë me shumë interes për rritjen e pensioneve.

“Në rastin e bujqësisë nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Politikat për të mbështetur bujqësinë funksionojnë njësoj, si në Europë,  edhe të fqinjët tanë, Maqedonia dhe Kosova. Buxheti ynë për subvencionet vitin e parë do të jetë 150 milion euro dhe do të vazhdojë duke u rritur sipas projeksionit tonë, siç do të vazhdojë të rritet edhe prodhimi i bujqësisë shqiptare. “- tha Basha.

Duke bërë një krahasim me fondet që parashikon buxheti 2019 vetëm për një grusht koncesionesh korruptive në pronësi të qeverisë apo klientë të saj, Basha tregoi edhe burimin e financimit për ringritjen e bujqësisë.

“100 milion euro do të harxhojë vitin e ardhshëm, po e lamë, vetëm për 10 oligarkë Edi Rama. Vetëm për tre inceneratorët, që janë makina të prodhimit të parave, Arben Ahmetaj do të marrë 22 milion euro për veten e tij, t’i fusë në xhepat e tij. Ne do t’i japim fund koncensioneve korruptive që na e kanë çuar kilometrin e rrugëve në 25 milionë euro.”- theksoi kreu i opozitës në takimin me banorët e Maliqit.

Pjesë e alternativës qeverisëse të opozitës është edhe rritja e pensioneve, paratë për te cilat do të gjenden tek dhënia fund e abuzimit me tenderat që, vetëm vitin e kaluar llogariten në rreth 500 milionë euro.

“Ne do të nisim që prej ditës tonë të parë në pushtet, rritjen e pensioneve. Rritja e parë do të jetë në nivelin e 200 mijë lekëve dhe deri në fund të mandatit, pensioni minimal në Shqipëri do të jetë 250 mijë lekë të vjetra për pensionist” – u shpreh Basha.

Kryetari I opozitës i ftoi banorët e Maliqit t’i bashkohen opozitës për të bërë të mundur që vendin të mos e qeverisë pakica, por shumica reale e këtij vendi që përkrah projektet konkrete të opozitës për zhvillimin e vendit.

“Asgjë prej këtyre nuk mund të vijë pa një rotacion politik, pa një transformim total, që është po aq i nevojshëm sot sa para 30 vitesh. Para 30 vitesh kishim 13 anëtarë të Byrosë Politike që nuk mendonin për njerëzit, por mendonin vetëm për veten e tyre. Edhe sot kemi 5 banditë, 5 oligarkë dhe 5 politikanë që mendojnë vetëm për veten e tyre. Para 30 vitesh ata e kishin bërë Shqipërinë kopësht zoologjik të stalinizmit. Edhe sot këta 15 Banditë e oligarkë e konsiderojnë gjithë Shqipërinë çifligun e tyre.”- u shpreh Basha.

Facebook Comments

MineralHygienics.com