Pas ritmeve me rritje dyshifrore vitet e fundit, eksportet bujqësore i janë kthyer rënies gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vlera e eksporteve bujqësore (fruta, perime dhe zarzavate) në 9-mujorin e 2018 ishte gjithsej 5.6 miliardë lekë me një rënie 1.8% në krahasim me 9-mujorin e një viti më parë.
Kjo ishte rënia e parë që nga viti 2009. Ritmet e rënies me gati 2% në janar-shtator 2018 vijnë pas një rritje sistematike, ku në vitin 2016 eksportet nga ky grup u rriten me 31% në raport me 9-mujorin e 2015, teksa për të njëjtën periudhë, rritja me 2017 ishte 33% në raport me 2016.
Fermerët nga zonat me prodhuese e vendit pohojnë se këtë vit kishte më pak mbjellje në fushë, sidomos domate. Çmimet e ulëta që dha shumica vitin e kaluar për domatet krijuan humbje të mëdha tek fermerët, ndaj ata këtë vit kanë mbjellë më pak, duke krijuar hendek në treg dhe në eksporte.
Ulja e prodhimit vendas ka sjellë rritje të importeve. Në këtë periudhë, kur tregjet e pakicës në Tiranë përmbyteshin nga prodhimi vendas, sot dominojnë prodhimet e importit. Pas një rënie vitin e kaluar, importet e produkteve bujqësore ishin në rritje në janar-shtator.
Sipas INSTAT, eksportet e frutave dhe zarzavateve arritën në 9.6 miliardë lekë më 2017, me një rritje 21% nga viti 2016. Ndërsa importet arritën në 8.3 miliardë lekë, me një rritje prej 0.2% kundrejt vitit 2016. Si importet dhe eksportet janë rritur që nga viti 2012, por shitjet jashtë vendit janë rritur me ritme më të shpejta.
Në pesë vitet e fundit, eksportet e frutave dhe zarzavateve janë pesëfishuar, nga 1.8 miliardë lekë më 2012 në 9.6 mld lekë në 2017, ndërsa importet janë rritur në pesë vite me 11%. Fermerët, të lodhur nga mungesa e fitimeve këtë vit, duket se kanë vendosur të limitojnë prodhimin e për rrjedhojë edhe eksportet./Monitor