November 27, 2024

Kuvend, mazhoranca miraton mbylljen e lojërave të fatit

Mazhoranca socialiste në Kuvend ka miratuar me 75 vota pro në Kuvend, në orën 14:30, ligjin për mbylljen e lojërave të fatit më 31 dhjetor 2018. Ligji u votua me 75 vota pro të socialistëve, pasi opozita nuk ka hyrë në seancë.

Ky ishte argumenti me të cilin u mbyllën lojërat e fatit sot nga parlamenti, përpunuar nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat:

:Situata aktuale në vendin tonë tregon se lojrat e fatit dhe në veçanti kategoritë e “Basteve sportive” janë kthyer në një formë popullore, lehtësisht e arritshme dhe e preferuar për argëtim.

Përhapja e kësaj industrie që në fillim të viteve 90’, ka shkaktuar viktima ndaj varësië, numri i të cilëve nga viti në vit është rritur ndjeshëm dhe në veçanti për grupmoshat e adoleshentëve dhe të rinjve, duke e keqorientuar individin për sigurimin e jetës dhe nevojave të tij të përditshme, përmes aktiviteteve jo produktive. Për vetë kushtet ekonomike të vendit tonë dhe nivelin e varfërisë, kjo ka ndikuar në mosangazhimin e brezit të ri në shfrytëzimin më të mirë të alternativave të punësimit në sektorin privat dhe publik.

Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit “Mbi zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2016” rezulton që subjektet private që kanë shtuar me tepër borxhin për periudhën Janar – Dhjetor 2016 janë ndër to, edhe kompani ose biznese private që operojnë në fushën e lojërave të fatit.

Të dhënat zyrtare nga institucionet e tatimeve dhe nga QKR, në vitin 2016, tregojnë se shqiptarët lanë 15.5 miliardë lekë në baste dhe kazino. Kjo shifër është më e madhe se 1% e prodhimit kombëtar, para të cilat ushqejnë një industri vesi që ka shkatërruar dhe vazhdon të shkatërrojë me mijëra familje.

Në vitet 2015-2016, taksat e mbledhura nga kompanitë e kumarit ranë me 16 për qind duke zbritur në 4.52 miliardë lekë.

Modeli i biznesit të kësaj kategori loje nuk rezulton me vlerë të shtuar për shoqërinë, por përkundrazi zgjerimi i këtij aktiviteti në treg sjell rrezik potencial për varfërimin e ekonomisë familjare dhe krijimin e dramave sociale.

Ndryshimi i propozuar nëpërmjet projektligjit është në linjë edhe me vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në të cilat është sanksionuar, që qeveritë kombëtare lejohen ta kufizojnë tregun e lojërave të fatit për arsye të interesit publik dhe për mbrojtjen e konsumatorit.”

Facebook Comments

MineralHygienics.com