Një ditë pas inspektimit, të urdhëruar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, që Inspektorati i Policisë Pyjore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ushtruan në lokalin “Safari Park”, në Fier, ku pas verifikimit të dokumentacionit u vendos masa e pezullimit të aktivitetit dhe largimi i menjëhershëm i kafshëve, në Kopshtin Zoologjik të Tiranës ka nisur puna për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për vendosjen e 13 kafshëve të “Safari Park”.
Bëhet fjalë për strehimin e 13 kafshëve: 3 luanë, 1 ari, 1 zebër, 1 ujk, 1 dhelpër, 2 antilopa, 2 majmunë dhe 3 drerë. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me mbështetjen e fondacionit austriak “4Putrat” deklarojnë se mjediset e reja janë parashikuar të ndërtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, hapësira specifike sipas llojit të kafshës. Si në rastin e 2 antilopave, për të cilat është parashikuar krijimi i një hapësirë prej 800 metrash katrorë, përfshirë edhe dhomën e sigurisë për të pushuar apo ku do të vendosen për arsye sigurie gjatë pastrimit.
Zyrtarisht konfirmohet se luanët, dhelpra, ariu, majmunët dhe ujku do të vendosen në kafazë, në ambjentet e mbyllura që disponon Kopshti Zoologjik i Tiranës, ambjente që po përshtaten për vendosjen e tyre, ndërsa antilopat, zebra dhe drerët në mjedise të hapura përgjatë kopshtit, në zona të rrethuara specifikisht për një jetesë normale për to. Parashikohet që punimet për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme në Kopshtin Zoologjik të Tiranës të përfundojnë brenda javës së ardhshme.
Menjëherë pas kësaj, janë marrë të gjitha masat që në Tiranë të mbërrijnë 4 veterinerë nga Gjermania, Bullgaria dhe Kosova, të cilët do të ndjekin një protokoll të caktuar për të transportuar kafshët nga “Safari Park” drejt Tiranës, fillimisht duke i vendosur kafshët në gjumë, më pas do të bëhet kontrolli i mirkoçipit, vaksinimi nëse është e nevojshme, trajtimi antiparazit, transporti në gjendje të fjetur brenda në kafaz dhe pastaj mbi mjetet që do të kryejnë transportin. Për ti zgjuar në momentin e mbërritjes në kopshtin zoologjik të Tiranës, ku gjysëm ore më vonë do të vendosen përkohësisht në mjediset e reja të banimit.