December 27, 2024

‘Balla, që jep leksione europianizmi, hesht për 57 udhëtimet me trafikantin Bego dhe burimin e parave’

Partia Demokratike ka theksuar sërish sot se Taulant Balla, kreu i Grupit të PS-së, nuk mund të jetë përfaqësuesi i shqiptarëve në Bruksel në bisedimet për integrimin e vendit.

Deputeti Gent Strazimi dha një deklaratë nga selia e PD-së, ku tha:

“As në Bruksel, as në Tiranë, opozita nuk ka për të luajtur teatrin që i duhet Edi Ramës, për t’u bërë fasada e pushtetit absolut të krimit të organizuar.  Taulant Balla u vetëshpall njeriu i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por krahu i djathtë i Edi Ramës nuk ka dhënë akoma asnjë përgjigje për 57 udhëtimet në Europë me Edmond Begon, mikun e tij trafikant ndërkombëtar droge.

Taulant Balla, i cili jep opozitës leksione europianizmi, nuk ka shpjeguar akoma se ku i ka gjetur lekët për të udhëtuar me charter bashkë me Edmond Begon. Ligji e ndalon Taulant Ballën të marrë dhuratë mbi 100 mijë lekë, ndërkohë që 1 udhëtim me charter kushton të paktën 30 mijë euro.

Taulant Balla nuk u ka thënë shqiptarëve sesi Edmond Bego ka marrë të paktën 14 milionë euro nga tenderat dhe punët publike, pavarësisht se ligji shqiptar i ndalon një të dënuari për trafik droge të marrë pjesë në tendera publikë. Vetëm 3 nga tenderat që Edmond Bego ka marrë gjatë këtij viti janë në zonën elektorale të Taulant Ballës.

Taulant Balla, nën akuzë publike për pastrimin e 3.4 milionë eurove të dërguara me Toyta Yaris, nën akuzë publike për praninë e tij në kërcënimin me armë të nënkomisar Emiljano Nuhut, është fytyra më e papërshtatshme për të përfaqësuar në Bruksel aspiratën europiane të shqiptarëve të ndershëm. As në Bruksel, as në Tiranë, opozita nuk ka për të luajtur teatrin që i duhet Edi Ramës, për t’u bërë fasada e pushtetit absolut të krimit të organizuar.”

 

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com