November 25, 2024

Ahmetaj tek ‘Ekonomia’, i përgjigjet KLSH-së: Borxhi brenda objektivit!

TIRANE-Shifra e borxhit publik të Shqipërisë ka përplasur KLSH me qeverinë. Institucioni që përfaqësohet nga Bujar Leskaj, të cilit i ka mbaruar mandati, është futur në kurs përplasjeje për herë të parë me qeverinë, duke pretenduar se nuk është raportuar shifra e saktë.

Por Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë, ka folur për borxhi publikn, që sipas tij në vitin 2017 ka një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind. Ahmetaj hodhi poshte pretendimin e KLSH, duke thene se shifrat janë në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe me detyrimet që Parlamenti i ka vendosur qeverisë

“Në vitin 2017 shënuam një ulje të borxhit publik. Ekonomia shqiptare performoi mjaft mirë, rritja ka qenë 3.84% nga 3.4% në vitin 2016.  Viti 2017 ishte elektoral dhe pati edhe një specifikë, qeverinë teknike dhe e bënë që të ishte test real për financat publike dhe perspektivën e qëndrueshmërisë së tyre. Qeveria nuk krijoi borxh të ri.  Shifrat janë në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe me detyrimet që Parlamenti i ka vendosur qeverisë. Në vitin 2017 treguesi i borxhit publik ka një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind“, deklaroi Ahmetaj

Por kjo shifër është kundërshtuar nga KLSH, që pretendon se borxhi publik është 72% e PBB.

Ne komision nuk ishte i pranishëm Bujar Leskaj, kjo për arsye se i mbaron mandati, ndërsa institucioni është përfaqësuar nga Manjola Naco, drejtoreshë në KLSH, e cila u shpreh se vlera e detyrimeve të prapambetura nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte një deficit mbi 2% të PBB.

“Disa tendera kanë nevojë për investigim. Kanë mbetur pa likuiduar një stok i likuidimit të TVSH. Megjithëse janë miratuar stoku i TVSH-ve nuk rezulton në tatime. Ka rrezik për rimbursimin e TVSH-së në investimet në energji. Vendimet gjyqësore nuk reflektohen si borxh. Raporti i borxhit është ende larg. Stoku i borxhit paraqitet i nënvlerësuar. Vlera e detyrimeve të prapambetura, si shpenzim i konstatuar, nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte një deficit mbi 2% të PBB, por është raportuar si shpenzim i periudhave të ardhshme. Nëse merren në konsideratë këto detyrime, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,088 miliardë lekë, do të ishte në rreth 1,104 miliardë lekë, i cili në raport me PBB do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 71%. Nëse marrim në konsideratë edhe shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH në vlerë 11 miliardë lekë borxhi publik do të jepte një tregues në nivelin 72% të PBB“, deklaroi drejtoresha e KLSH

Facebook Comments

MineralHygienics.com