November 24, 2024

Dhuna ndaj nxënësve nga shoferi, policia jep detaje

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e sotme në Dibër, ku një shofer autobusi që transportonte nxënës shkolle, ka dhunuar njërin prej fëmijëve, ka reaguar edhe policia.

Siç raporton kjo e fundit, shoferi i arrestuar është 35 vjeçari, Edmond Sela.

Njoftimi i Policisë

Pas denoncimit nga Ministria e Arsimit, te një videojeje ku shfaqet një drejtues autobusi që ushtron dhunë ndaj dy nxënësve, sqarojmë se:

Policia e Dibrës menjëherë ka bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë, të drejtuesit të autobusit, shtetasin Edmond Sela, 35 vjeç, banues në fshatin Burim, Dibër.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi E. Sela, me automjetin e tij autobus, me targa AA 633 BO kryente transportin e nxënësve në rrugë dytësore nga fshati Burim për në shkollën e Majtarës, në njësinë administrative Maqellarë.

Në datë 4. 10. 2018, ky shtetas ka ushtruar dhunë ndaj dy nxënësve,  pasi pretendonte se i kishin djegur me cigare sediljet e automjetit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore shtetasi Edmond Sela, u arrestua për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal. Gjithashtu rezultoi se kishte mangësi në dokumentacion, e për mangësitë e konstatuara  do të procedohet administrativisht nga Policia Rrugore.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër është e angazhuar maksimalisht për sigurinë e qytetarëve,  veçanërisht për sigurinë e fëmijëve dhe fton qytetarët, nxënësit,  prindërit e mësuesit të denoncojnë çdo shkelje apo cenim të dinjitetit, shëndetit e jetës së tyre, duke garantuar një reagim të shpejtë profesional dhe të paanshëm.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com