Ka ende një muaj kohë për të gatuar e shijuar këtë pjatë tipike verore. Ka aromë të mirë dhe vlera ushqimore…Sepse gjiza nuk bëhet vetëm fërgesë.
Djathrat e tjere mund t’i shtoni ose jo, sipas deshires! Mund ta provoni edhe me gjize, koper e salmon…
PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA: 20 makarona guaskë 4 domate 1 thelb hudhër 50 ml vaj ulliri kripë piper 1/2 lugë sheqer 10 degë borzilok 250 g gjizë pa kripë 100 g djathë Parmigiano 100 g djathë Chedar pak lëkurë limoni 1/2 spec i kuq djegës, sipas dëshirës
PËRGATITJA: Makaronat i vëmë të ziejnë për 5 minuta në ujë me kripë dhe nisim me përgatitjen e salcës. Hedhim në grirësen elektrike domatet e qëruara, vajin e ullirit, borzilokun, thelbin e hudhrës, kripën, piperin dhe pak sheqer.
I bluajmë derisa të bëhen pure dhe masën e përftuar e shtrojmë në tavë. Për mbushjen e makaronave guaskë, përziejmë gjizën pa kripë, djathin Parmigiano, djathin Chedar, lëkurën e limonit, borzilokun dhe sipas dëshirës, edhe pak spec djegës. I kullojmë guaskat dhe i përziejmë me pak vaj ulliri që të mos na ngjiten.
I mbushim me radhë dhe i rreshtojmë në tavë. Më pas, i pjekim për 20 minuta në temperaturën 180° C.