Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë akuza të forta ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Ai e ka quajtur atë ‘argat’ të Serbisë në Prishtinë.
I pyetur në emisionin ‘Opinion’ përse ka rritur dozat e akuzave ai tha se për vite të tëra me Thaçin ka mbrojtur te ndërkombëtarët tentativat e Beogradit për të marrë territore të Kosovës, por tashmë Thaçi ka ndryshuar mendim.
‘Pse e quaj argat? Unë bashkë me të kemi kundërshtuar çdo përpjekje të Beogradit për Serbinë e madhe.
Del ky një ditë të bukur dhe thotë: Nuk e ka thënë Beogradi këtë, por po e them unë këtë të kufijve’, tha ish-kryeministri Berisha.
Ai tha se ndryshimi i kufijve është hapi i parë i çmontimit të Kosovës.
‘Nuk jam kundër një marrëveshje, e mbështes një marrëveshje. Ballkani është më i pasuri për minoritete, por problemi nuk janë ata por maxhorancat.
Të përdoren minoritetet si plaçkë tregu është çnjerëzore. Thuaju atyre që ka një marrëveshje që e kanë firmosur me gjak. Pse Serbia dhe Rusia e kanë këtë përqendrim në Mitrovicë?
Prapavija e marrëveshjes është Serbia e madhe, ata vijnë me flamurin e Serbisë së madhe dhe nuk mund të lejohet’- tha Berisha.
Duke folur për këtë argument tha: ‘Pse të mos kërkojmë dhe Ulqinin, Tuzin, Dibrën? Nuk bëhet shaka me kufijtë’.