Muaji Mars shënoi një tjetër përmbytje për banorët e zonës së nën – Shkodrës.Uji dëmtoi banesat, bagëtitë dhe kulturat bujqësore në periudhën e fillimit të pranverës, kohë kur një pjesë e madhe e prodhimeve pritet të japin frytet. 5 muaj më pas, banorët janë ende në pritje të dëmshpërblimeve, të cilat mbeten peng i procedurave burokratike të institucioneve përgjegjëse.
Jac Zadrima, banor i fshatit Shirq i prekur nga përmbytja e fundit, i pyetur nga “Citizens Channel” mbi ndikimin e përmbytjes në ekonominë lokale, tha: “Unë jam tu punu me borxh. Kalojnë infeksionet dhe ashtë mbjellë dy herë bereqeti. Jonxhës në vend me ja marrë kosën e parë në mars ose në prill, unë ja kam marrë në qershor”.
Në kohën e përmbytjes, pati vizita dhe inspektime nga ana e institucioneve përgjegjëse. Zv. Kryeministrja Senida Mesi dhe Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka shkuan në vendngjarje dhe premtuan se do të bënin maksimumin për të mbështetur banorët e përmbytur si dhe do të shikonin mundësinë për investime afatgjata për të parandaluar situata të tilla.
Në datën 19 korrik Bashkia e Shkodrës me anë të vendimit Nr. 51, bën të ditur vlerësimin e dëmeve në total për banorët e njësive administrative: Dajç, Ana e Malit dhe njësia administrative Rrethina + Qendër.
Vlera totale e përllogaritur në lekë për këto zona, në bazë të këtij vendimi është 98,624, 24 lekë për 59 familje të prekura.
Vendim i Këshillit Bashkiak Shkodër 19/07/2018
Ndërsa, për sa i përket kulturave bujqësore, numri i tyre është 25, në rreth 4965 parcela, me një sipërfaqe në total prej 20,788,821 metra katrorë. Vlera totale e këtij dëmtimi shkon në 310,976,940 lekë.
Në vendim Bashkia Shkodër ka kërkuar një alokim fondesh nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të “pamjaftueshmërisë së Bashkisë për të mbuluar vlerën”.
Burokracitë mes Prefekturës dhe Bashkisë mbajnë peng dëmshpërblimin e banorëve të prekur
Citizens Channel iu drejtua përmes një kërkese për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes, për të pyetur nëse është dhënë fondi i kërkuar nga Bashkia e Shkodrës.
Ministria e Mbrojtjes u përgjigj: “Dokumentacionet për banesat e dëmtuara nga përmbytjet e muajit Mars në qarkun Shkodër nuk janë depozituar ende në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile”.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes pohojnë për “Citizens Channel” se nga kontaktet me Institucionin e Prefektit të Qarkut Shkodër janë informuar se Bashkia Shkodër nuk ka kryer plotësimet e nevojshme bazuar VKM-së nr. 329,datë 16.05.2012. Ky Vendim i Këshillit të Ministrave, përcakton kriteret se si bëhet procedura e vlerësimit të dëmeve të ndodhura nga fatkeqësi natyrore ose veprimtari njerëzore, në dy kategori: kur shpallet gjendja e emergjencës si dhe në rastet kur ajo nuk shpallet.
Citizens Channel iu drejtua Prefekturës së Qarkut Shkodër për të ditur se cilat ishin kriteret e paplotësuara nga Bashkia Shkodër sipas VKM – së numër 329 e datës 16.05.2012 në vlerësimin e dëmeve nga përmbytja e muajit mars 2018.
Prefektura Shkodër u përgjigj se kishte vënë re disa parregullsi ligjore dhe e kishte kthyer mbrapsht vendimin nr. 34 i datës 22/05/2018 për shkak të disa mangësive tekniko – ligjore në lidhje me përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm.
Rreth dy muaj më vonë, Bashkia Shkodër publikoi vendimin e rishikuar ku miratohej vlera e dëmeve nga përmbytjet e marsit.
Edhe këtë vendim, Prefektura e ka kthyer në Bashkinë e Shkodrës për rishikim në datën 18 gusht 2018, duke shtuar: “Është konstatuar në të njëjtën kohë se Këshilli Bashkiak Shkodër nuk ka marrë vendim për dhënien ndihmë financiare të menjëhershme nga buxheti i vitit 2018.
“Për sa më sipër Bashkia Shkodër duhet të përpilonte dokumentacion për secilën nga familjet e përmbytura referuar preventivave ndërtimore dhe atyre elektroshtëpiake në zbatim të VKM-së nr 329/2012 kreu III me qëllim dërgimin e praktikave individuale pranë Prefektit të qarkut Shkodër dhe më pas përcjelljen e tyre Ministrisë së Mbrojtjes – Drejtorisë së Emergjencave Civile”, vijon më tej përgjigjja e Prefekturës.
Prefektura i ka kërkuar edhe një herë Bashkisë Shkodër plotësim të dokumentave. “Me shkresën tonë Nr.1035/1 date 17.08.2018 drejtuar Bashkisë Shkodër i është kërkuar të plotësoj dosjet individuale sipas kritereve ligjore duke zbatuar edhe afatet kohore”, thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion.
Banorët ende të painformuar mbi dëmshpërblimet
Gjatë muajit gusht Citizens Channel takoi disa nga banorët e prekur nga përmbytja ku ata u shprehën për dëmet e shkaktuara, për dëmtimin material por edhe për dëmtimin e gjësë së gjallë.
Jac Zadrima – Banor i fshatit Shirq i prekur nga përmbytja/ Foto: *Citizens Channel
I intervistuari Jac Zadrima, kur u pyet se a kishte marrë një informacion të dytë pas vlerësimit të dëmeve nga Bashkia Shkodër u përgjigj: “Absolutisht, as Qeveria as Bashkia. Nuk na kanë kthy xhevap si me thënë, për dëmet që janë bërë. Kur kanë ardh i kanë pa, dhe sot i ke efektet e shtëpisë. Shifet banaku, shifet bufeja, shifet raftet, shifen muret, shifet çdo gjë se çfarë dëmi është bërë. Ata kanë ardh i kanë vlerësu, por nuk ndijmë ndonjë fjalë të mirë as prej Qeverisë, as prej Bashkisë. Po vjen vjeshta prapë, prapë po përmbytna. Na paret e 2010 dhe 2011 i kena pa marrë akoma, të shtëpive.”
Por nga vijnë përmbytjet dhe kush janë përgjegjësit?
E kontaktuar nga Citizens Channel, Alminda Mema drejtoreshë e Qendra e Informimit Aarhus që ka në fokus mjedisin, na jep këtë informacion:
Në kushtet kur banorët janë ende të pa dëmshpërblyer nga përmbytja e fundit dhe të pashpresë për dimrin që vjen, institucionet përgjegjëse ende nuk e kanë zgjidhur në mënyrën e duhur ligjore këtë problematike dhe “dëmshpërblimi” është vetëm në letër.
*Citizens Channel / Fjori Sinoruka, Senad Tula