“Figurë të përmasave epokale” e ka konsideruar Azem Hajdarin, Presidenti Ilir Meta. Në simpoziumin e mbajtur sot 20-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, kreu i shtetit gjatë fjalimit të tij vlerësoi figurën e heroit të demokracisë.
“Ai ishte një njeri i lindur i lirë, ishte një njeri në genin e tij demokrat. Këtë e tregoi edhe kur për shumë çështje të caktuara, ai kishte mendimet e veta dhe luftonte për to. Ashtu sikurse ishte njeri i bashkëpunimit dhe i kompromisit.
Ca njerëz i mblidheshin Azemit kur i shpohej goma e makinës, ca të tjerëve nuk i mblidheshin kur merreshin me organizme për javë të tëra. Kjo tregon se ai ishte i lidhur me njerëzit”, u shpreh Presidenti.
Duke përkujtuar rolin e Azem Hajdarit në vitet e para të demokracisë, Meta theksoi se demokracia kërkon guxim.
“Kjo figurë na fton sot për të reflektuar dhe kuptuar që demokracia nuk vjen si dhuratë dhe as nuk qëndron si e tillë. Demokracia kërkon guxim për të fituar por edhe për t’u mbrojtur çdo ditë. Është e rëndësishme që kjo figurë, shembulli i tij të gjenerojë një angazhim edhe më të madh të gjthë të rinjve që kërkojnë të drejta më shumë, shans më shumë.
Dhe besoj ata e kanë shumë më të lehtë se sa e ka patur Azem Hajdari. Azem Hajdari është një figurë e përmasave epokale që ka dhënë një mesazh të përjetshëm për të gjithë shqiptarët se demokracia kërkon guxim”, tha Presidenti i Republikës Ilir Meta.