November 22, 2024

Venecia/Drama meksikane merr “Ariun e Artë”

Ka qenë një vit i çuditshëm për edicionin e 75-të të festivalit të filmit të Venecias, i cili mblodhi shumë yje dhe artistë që u bashkuan në festën magjepsëse italiane të kinemasë për të parë më të mirën që mediumi i filmit ka për të ofruar.

Festivali i filmit në Venecia nisi me datën 29 të muajit gusht dhe u mbyll të shtunën mbrëma. Për më shumë se një javë, festivali më i vjetër në botë i filmit u përball me kundërshti dhe akuza pasi që në programin garues kishte përzgjedhur vetëm një film të realizuar nën regjinë e një gruaje. Megjithatë, ceremonia finale u mbajt të shtunën mbrëma dhe çmimet u ndanë, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e Deadline. Drama bardhezi e Alfonso Cauron, “Roma”, ka marrë “Luanin e Artë” këtë vit në Venecia. Ky është i filmi i parë nga “Netflix”, që mori një vlerësim të tillë nga një festival i madh dhe filmi i dytë nga një filmbërës meksikan që triumfoi atje. Vitin e kaluar, fituesi i “Luanit të Artë”, filmi “The Shape of Water” i Guillermo del Toros, po ashtu mori çmimin si filmi më i mirë në “Oscars”.

Del Toro këtë vit ka qenë president i jurisë dhe kur u ngjit në skenë për t’i ndarë çmimin mikut të tij të dashur bëri një shaka: “tani, ta shoh nëse di ta shqiptoj emrin siç duhet”. Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar kur filmi i tij u përzgjodh si fitues, dhoma e mediave shpërtheu në duartrokitje kur fitoi “Roma”.

Si një poezi lirike për fëmijërinë e Cauron në Mexico City, “Roma”, është mirëpritur në ishullin Lido dhe rëndësia iu shtua kur u shfaq në festivalin e filmit në Telluride para pak ditësh. Cauron gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ka thënë se çmimi dhe festivali i Venecias janë “tejet të rëndësishme” për të. Në vitin 2013 ai e hapi festivalin me filmin “Gravity” dhe para dy vjetësh ka qenë president i jurisë. Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se kësaj feste i është shtuar fakti që gruaja mbi të cilin bazohet filmi i tij “Roma” e pati ditëlindjen.

Në konferencën pas ceremonisë, Cauron është pyetur se nëse ka qenë më e rëndësishme për të që “Roma” është bërë filmi i parë prodhim i “Netflixit” që fitoi në një festival të madh apo krejt kjo e bën më krenar në nivel personal. Me shpejtësi ai është përgjigjur: “me të vërtetë ke nevojë për një përgjigje në këtë”? Fakti që “Netflix” pati aq shumë filma këtë vit në Venecia ka ndodhur për shkak të disa çështjeve me distributorët italianë. “Roma”, fillimisht ishte ofruar që të shfaqej në Cannes, por “Netflix” e kishte larguar filmin pasi që për shkak të distribuimit do të humbte të drejtën e konkurrimit. Kjo situatë e ka detyruar festivalin francez të bëhet më rigoroz në përcaktimin e rregullave.

“Netflix”, po ashtu, fitoi edhe me filmin e Joel dhe Ethan Coen, “The Ballad of Buster Scurggs”, i cili mori çmimin për skenarin më të mirë. Asnjëri prej regjisorëve nuk ishin prezentë në ceremoni, por ylli i filmit Tim Blake Nelson, ishte ai që e pranoi çmimin. Ky ka qenë një prej dy fitoreve për Annapurnan. Kompania e Megan Ellison, po ashtu, u shpërblye me filmin “The Sisters Brothers”, për të cilin Jacques Audiard mori “Luanin e Argjend” për regjinë më të mirë. Ai dërgoi një mesazh, duke thënë se ky çmim i jep “siguri për një kohë të shkurtër”.

Audiard ka qenë mbështetës i zëshëm për barazinë gjinore gjatë javës së kaluar sa zgjati festivali. Juria e udhëhequr nga Toro, shpërbleu “The Nightingale”, filmi i vetëm në garë nga një regjisore, me dy çmime. Filmi i Jennifer Kent mori çmimin për aktorin më të mirë të ri, i cili i takoi aktorit Baykali Ganambarr dhe po ashtu çmimin e veçantë të jurisë.

“Për të gjitha gratë gjithandej që janë në pritje t’i realizojnë filmat e tyre, ju lutem realizoni. Ne kemi nevojë për ju. Forca femërore është më e fuqishmja dhe forca shëruese e planetit. Shpresoj dhe kam besim se do të shohim sa më shumë gra që pushtojnë këtë hapësirë”, ka thënë Kent, pasi që është ngjitur në skenë për të marrë çmimin.

Filmi i preferuar i publikut, “The Favorite” i Yorgos Lanthimos, mori çmimin “Grand Jury Prize”, derisa një prej tri grave të fuqishme që janë pjesë e filmit të tij, Olivia Colman, mori çmimin për aktoren më të mirë. Komedia filozofike e vendosur në kohën e Mbretëreshës Anne, është bashkëprodhim mes “Fox Searchlight” dhe “Film4” në Mbretërinë e Bashkuar, ngjarja e së cilit zë vend në një ambient të ngjashëm me fituesin e vitit të kaluar të çmimit për skenar më të mirë, “Three Billboards Outside Ebbing Missouri”, i cili i solli Francës McDormand trofeun si aktorja më e mirë në “Oscars”.

Aktori më i mirë u përzgjodh Williem Dafoe për portretizimin që i ka bërë piktorit të njohur Vincent Van Gogh, në filmin “At Eternity’s Gate” të Julian Schanbel. Dafoe e quajti Italinë “shteti i tij adoptues”, duke rikujtuar se për herë të parë në Venecia ka qenë para 30 vjetësh me filmin “The Last Temptation Of Christ” të Martin Scorseses. Ai, po ashtu, e ka falënderuar Schnabel që i ka dhënë mundësinë që të luajë në filmin e tij.

I përjashtuar në këtë ceremoni mbeti filmi “First Man” i Damien Chazelle, i cili e hapi festivalin. Por “Birdman” i Alejandro G.Inarritus po ashtu nuk kishte marrë asnjë çmim në këtë festival, derisa kishte marrë kryesorin nga “Academy Aëards”, përgatiti Koha.

Facebook Comments

MineralHygienics.com