TIRANE-Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tërheq vëmendjen e të gjithë tatimpaguesve të biznesit të vogël pa TVSH, me qarkullim vjetor nën 2 milionë lekë që të tregojnë kujdes në lidhje me raportimin e shtypjeve gabim të pajisjeve fiskale që kanë në përdorim.
Drejtoria e Riskut në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, nga verifikimi i të dhënave të xhirove të raportuara nga pajisjet fiskale, ka konstatuar se shumë subjekte të biznesit të vogël pa TVSH, raportojnë vlera jashtë normalitetit të aktivitetit të tyre, kryesisht si pasojë e shtypjeve gabim të pajisjeve fiskale.
Administrata Tatimore, bën me dije se është detyrim i tatimpaguesve që të reklamojnë të gjitha shtypjet gabim të pajisjeve fiskale pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, ku subjekti ushtron aktivitetin, sipas procesverbalit përkatës.
Çdo mosraportim i shtypjes së gabuar të pajisjes fiskale nga tatimpaguesit, sjell ndryshim nga ana e administratës tatimore, bazuar në të dhënat që disponon, të përgjegjësisë tatimore nga ajo ekzistuese në përgjegjësi tatimore “Biznes i vogël me TVSH”.
Administrata Tatimore, mbetet e angazhuar të informojë me korrektësi tatimpaguesit mbi të drejtat dhe detyrat tatimore që atyre iu lindin.