Në aksin Gjirokastër-Lazarat në jug të vendit, po punohet për rehabilitimin e plotë të rrugës, për ta sjellë në standarde dhe në shërbim të qytetarëve.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro dhe deputeti i PS i zgjedhur në qarkun e Gjirokastrës, Bledi Çuçi inspektuan punimet që po kryhen për rehabilitimin e aksit rrugor që lidh Gjirokastrën me Lazaratin.
Investimi arrin në vlerën rreth 1 milion euro dhe po kryhet në kuadër të projektit të përbashkët me Bankën Botërore për mirëmbajtjen me performancë të akseve rrugore kombëtare. Projekti parashikon rehabilitimin e plotë të segmentit në gjatësinë 3.5 kilometra.
Punimet kanë filluar nga rrethrrotullimi i ashtuquajtur “Lagja Punëtore”, deri në fundin e fshatit Lazarat ku bëhet dhe lidhja me pjesën e rrugës së re.
Është një rehabilitim që i ka të gjithë elementët, paketën e shtresave, tumbinot, kanalet dhe veprën në të cilën ne ndodhemi, një tumbino e madhe e cila ka qenë shumë problematike në funksionimin e aksit.
Vlera e investimit në këtë aks kap shifrën mbi 1 milionë euro. Sipas parashikimeve, punimet në këtë projekt do të përfundojnë brenda muajit dhjetor 2018, duke e transformuar këtë segment rrugor në një vepër të rëndësishme të korridorit veri-jug me standarde dhe në shërbim të qytetarëve.
Për deputetin Bledi Çuçi, ky investim tregon vëmendjen e vazhdueshme të qeverisë tek njerëzit, qytetarët dhe në dobi të komunitetit në të gjithë vendin.