November 25, 2024

‘Qeveria të tërhiqet përfundimisht nga shembja e Teatrit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar me një deklaratë pas vendimit të mazhorancës për ta shtyrë ligjin special për Teatrin. Në deklaratë thuhet se “vendimi i mazhorancës parlamentare për të mos e përfshirë miratimin e dekretit të Presidentit për kthimin e “ligjit special për Teatrin” në kalendarin e punës së Kuvendit deri më 12 tetor, është një vendim i drejtë. Ai rikonfirmon edhe një herë sa problematik ka qenë ky ligj, shkeljet e tij të rënda, të cilat, pas një presioni në rritje, kanë detyruar tashmë Qeverinë të bëjë hapin e parë mbrapsht qëkur problemi u bë publik.

Me këtë rast duam të falënderojmë të gjithë ata qytetarë që nuk kanë reshtur së mbështeturi protestën tonë për të përditshme, gjatë gjithë ditëve të nxehta të verës. Prezenca e tyre e vazhdueshme tregon se një shoqëri që reagon, që organizohet dhe që lufton për një ideal, herët a vonë arrin të triumfojë.

Në mënyrë që tentativa për shembjen e Teatrit Kombëtar të eliminohet përfundimisht, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) kërkon që:

1) Qeveria të miratojë dekretin në fjalë të Presidentit duke tërhequr përfundimisht nga kalendari “ligjin special”. Ajo duhet të deklarohet publikisht pro restaurimit të dy teatrove kombëtare, me një proces të hapur, transparent, gjithëpërfshirës dhe me financim publik. Aleanca është e gatshme të diskutojë dhe propozojë modele të ndryshme financimi dhe menaxhimi për këtë qëllim, të aplikuar gjerësisht në ditët e sotme, duke përfshirë edhe donacione. Përpjekjet për të testuar dhe lodhur artistët dhe qytetarët, duke e lënë të hapur për diskutime të mëvonshme dekretin, do dështojnë sërish.

2) Lirimin nga detyra të Drejtorit të Teatrit Kombëtar dhe Ministres së Kulturës, tashmë të kallëzuar penalisht nga AMT, për neglizhencë me pasoja të rënda në mosmirëmbajtjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, duke qenë se nuk kanë dhënë dorëheqjen deri tani.

3) Qeveria të parashikojë në buxhetin e vitit 2019, si edhe në plan-buxhetin afatmesëm, një buxhet për Ministrinë e Kulturës, të barabartë, ose më të madh, se sa ai i Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë. Është e papranueshme që kultura shqiptare të vazhdojë të ketë një buxhet katër herë më të vogël se sa ajo e një vendi fqinj, me PPB dhe popullsi më të vogël se Shqipëria.

4) Kuvendi të marrë në shqyrtim nismat ligjore të propozuara nga Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit, si edhe Rrjeti “Skena e Pavarur Kulturore”, për reformimin e plotë të sistemit teatror dhe sektorit jopublik të artit në Shqipëri.

5) Qeveria të rihapë dy teatrot kombëtare aktuale për sezonin e ri artistik. Të ashtuquajtura “problemet infrastrukturore” të godinave janë lehtësisht të riparueshme dhe pjesë e një gënjeshtër të vazhdueshme publike që Drejtori i TK dhe Ministrja e Kulturës kanë përcjellë në publik

Të nderuar qytetarë dhe media,

Çështja e Teatrit ka vënë në dukje probleme të mëdha të sistemit tonë politik dhe vendimmarrjes së tij. Është e qartë tashmë se një Parlament i zgjedhur nga lista të paracaktuara nuk ka asnjë mundësi reale për të mbrojtur qytetarët dhe për të limituar abuzimet e mundshme të Qeverive. Nevoja për një SISTEM të ri zgjedhor është urgjente për demokracinë dhe zhvillimin e shoqërisë tonë.

Nga ana tjetër, historia e Teatrit duhet të jetë edhe një shembull frymëzimi dhe trimërie për të gjitha shtresat dhe grupimet e tjera të shoqërisë të cilat duhet të ngrenë zërin për problemet e tyre. Fatmirësisht kjo shoqëri ka plot individë të aftë e pozitivë, që janë të gatshëm të ndihmojnë kauza të drejta. Ne e kemi ndjerë mbështetjen e tyre në çdo hap e jemi të sigurtë së kështu do të ndodhë dhe për grupime dhe raste të tjera.

Së fundmi, Aleanca mbetet në pritje të raportit përfundimtar të Komisionit Evropian mbi “ligjin special”. Pavarësisht shtyrjes në Parlament, ai raport duhet ti konfirmojë përfundimisht opinionit publik çmendurinë ligjore dhe ekonomike që kishte marrë përsipër Qeveria shqiptare. Ai raport duhet të vlejë jo vetëm për të mbyllur përfundimisht këtë çështje, por edhe si parandalues për skema të ngjashme në të ardhmen.

Aleanca do vazhdojë të kthejë Sheshin e Teatrit në një hapësirë për artin dhe demokracinë edhe gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim, derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e saj. Ai shesh ka qenë dhe do të mbetet një hapësirë e lirë, e hapur për këdo që kërkon të flasë, në një kohë kur kjo liri po na mohohet gjithmonë e më shumë. Jeni të mirëpritur çdo ditë, ashtu siç janë të mirëpritura dhe mediat të cilat shpresojmë se do jenë më të shumta në numër në ditët në vazhdim./Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Facebook Comments

MineralHygienics.com