Gjatë dy viteve të fundit, një kompani e akuzuar nga PD për ‘lidhje me mafian’, fitoi e vetme gati 73 për qind të vlerës së shërbimeve të lavanderisë të prokuruara nga spitalet rajonale, duke u shpallur fituese në më shumë se gjysmën e tenderave, pasi nga autoritetet kontraktore u skualifikuan shumica e subjekteve të tjera konkurruese.
Një vit më parë në gusht 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri publik rezultatet e auditimit për periudhën 2014 -2017 për Spitalin Psikiatrik Vlorë “Ali Mihali’, ku sipas KLSH-së rezultuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore dhe nënligjore.
Një nga shkeljet kryesore të konstatuara nga grupi i audituesve lidhej me një tender me kohëzgjatje 4 vjeçare për shërbimin e lavanderisë me vlerë 94.2 milionë lekë. Për këtë tender, vetëm dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit nga përllogaritja e gabuar e vlerës së kontratës shkonte në gati 4 milionë lekë për vitin e parë dhe 11.7 milionë lekë për të tre vitet pasuese.
Sipas KLSH-së, në tenderin e lavandërisë, si kompania fituese A.G.S sh.p.k dhe aq më tepër operatori i skualifikuar Balkan Laundry sh.p.k nuk i përmbushnin kushtet e prokurimit.
Për këto dhe shkelje dhe të tjera që bashkë arrinin një vlerë prej 26.4 milionë lekë, KLSH kallëzoi në prokurori drejtorin e Spitalit Psikiatrik Vlorë, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe i rekomandoi Ministrit të Shëndetësisë largimin e tij nga detyra.
Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN në Agjencinë e Prokurimit Publik, APP, tregojnë se ky nuk është i vetmi tender problematik lavanderie gjatë dy viteve të fundit. Nga 17 tenderë të realizuar me një vlerë prej 1.14 miliardë lekësh, kostoja e prokurimit ishte 97.3 për qind e fondit limit.
Tetë nga këto tenderë me një vlerë prej 863 milionë lekësh janë mbajtur me procedurë të hapur dhe janë fituar nga kompania Devis Sh.p.k – një operator në qendër të akuzave nga opozita për lidhje me krimin e organizuar.
E pyetur nga BIRN mbi akuzat e opozitës, Devis sh.p.k mohoi nëpërmjet një zëdhënësi se kishte lidhje me krimin e organizuar, ndërsa nënvizoi se suksesi i kompanisë në prokurimet publike ishte rezultat i investimeve të saj.
“Po, ne kemi lavanderinë më të madhe dhe më moderne në Shqipëri e mbase dhe në Ballkan dhe është normale që në konkurime të fitojmë,” tha zëdhënësi i kompanisë, Arben Duka.
Privatizim me kosto të fryra
Në dhjetor 2014, ish drejtoi i Spitalit Psikiatrik të Vlorës iu drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për privatizimin e shërbimit të lavanderisë dhe furnizimin me material të butë të spitalit.
Bashkangjitur kësaj kërkese ka qenë dhe një relacion i përgatitur nga një grup pune, sipas të cilit volumi vjetor i punës së lavanderisë së spitalit ishte 138,051 kilogramë, me një kosto për kilogram prej 209.7 lekë dhe një kosto totale vjetore prej 28.9 milionë lekë.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky relacion e ka rritur artificialisht vlerën e kontratës katër vjeçare të shpallur me fond limit 94.2 milionë lekë.
“Përllogaritja e vlerës së kontratës dhe e çmimit për kilogram nga komisioni përkatës, është kryer gabim duke rritur në mënyrë të pajustifikuar volumin e punës me 38,721 kg/vit. Konkretisht, sipas shumës tabelës së përllogaritjes së kësaj sasie, volumi i punës duhet të jetë 99,330 kg dhe jo 138,052 kg,” shprehet KLSH në raportin e saj, duke shtuar se për këtë shkelje mbajnë përgjegjësi anëtarët e grupit të përllogaritjes së kostos.
Jo vetëm që grupi i punës ka fryer kostot, por ajo që e bën dhe më të rëndë shkeljen e drejtuesit të autoritetit kontraktor sipas KLSH, është fakti që Spitali Psikiatrik Vlorë nuk kishte nevojë ta kontraktonte këtë shërbim.
“Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion, nuk konstatohet nevoja e kryerjes së shërbimit, duke qenë se SPV kishte të instaluar vetë pajisjet e reja të lavanderisë, ambientin e funksionimit të saj, fuqinë punëtore,” shkruan KLSH.
Megjithë mungesën e argumenteve dhe të nevojës për ta prokuruar shërbimin, me anë të një shkrese të dërguar me 17 prill 2015, drejtuar drejtorit të SPV, ish- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i miraton kërkesën për privatizimin e shërbimit të lavanderisë dhe furnizimin me material të butë.
Pas marrjes së dritës jeshile nga Ministri i Shëndetësi, drejtori i Spitalit të Vlorës në janar 2016 ka ngritur komisionin e vlerësimit të ofertave dhe nëpërmjet një relacioni pa numër protokolli ka llogaritur vlerën e kontratës për 4 vite, për sasinë 96,228 kilogram në vit, në vlerën 94,2 milionë lekë pa tvsh, ose në vlerën 244.94 lekë/kg.
Në përllogaritjen e fondit limit, Spitali Psikiatrik i ka llogaritur operatorit ekonomik fitues shpenzime për investime që ekzistonin ose amortizim pë makineri që vetë spitali i jepte me qira.
“Si konkluzion, dëmi ekonomik total i shkaktuar Buxhetit të Shtetit nga përllogaritja e gabuar e vlerës së kontratës, është në vlerën 3,999,199 lekë për vitin e parë të kontratës dhe dëmi i mundshëm për 3 vitet e tjera të kontratës është në vlerën 11,755,860 lekë,” shkruan KLSH.
Tenderi për shërbimin e lavanderisë në Spitalin Psikiatik të Vlorës u hap me 2 shkurt 2016 dhe komisioni i vlerësimit mori dy oferta. Oferta që u skualifikua nga kompania ‘Balkan Laundry’ kishte vlerën 83.5 milionë lekë, ndërsa oferta e kualifikuar dhe e shpallur fituese A.S.G kapte vlerën 93.3 milionë lekë.
Sipas KLSH-së, të dy kompanitë nuk i përmbushnin kushtet për t’u kualifikuar në tender.
“OE Balkan Laundry SHPK, ofertën e dhënë e ka shoqërua me mungesë të theksuar dokumentacioni,” shkruan KLSH.
“A.G.S shpk nuk disponon ambient për kryerjen e shërbimit të lavanderisë, në kundërshtim me shtojcën 7, pikën 2 “Kriteret e veçanta të kualifikimit”,” shton KLSH, duke nënvizuar se për këto veprime mbajnë përgjegjësi anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe titullari i autoritetit kontraktor.
Gjetjet e KLSH-së iu përcollën prokurorisë, bashkë me një kallëzim për shpërdorim detyre në adresë të drejtorit të Spitalit Psikiatrik të Vlorës. BIRN mësoi se çështja ndaj tij është pushuar nga Prokuroria.
Treg pa konkurrencë
Tenderi i lavanderisë së Spitalit Psikiatrik Vlorë nuk është tenderi i parë i këtij lloji që shoqërohet me akuza për shkelje të barazisë së operatorëve ekonomikë.
Një investigim i BIRN, i publikuar në korrik 2015 zbuloi se një tender i ngjashëm 4 vjeçar me vlerë 1.1 miliardë lekë i mbajtur nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza për shërbimin e lavanderisë, i cili u fitua gjithashtu nga kompania A.G.S sh.p.k, u shoqëruar nga akuza për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tender. A.G.S i hodhi poshtë akuzat si të motivuara nga konkurrenca.
Megjithatë, A.G.S nuk është kompania e vetme e ‘suksesshme’ në këtë të treg, për të cilën ka dyshime se merr trajtim preferencial nga autoritetet kontraktuese.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP) për tenderat e zhvilluar nga drejtoritë e spitaleve rajonale, rezulton se nga janari 2016 deri në fund të muajit qershor 2018 janë realizuar 20 tenderë për shërbimin e lavanderisë, ku për 17 prej tyre janë shpallur fituesit, një është anuluar dhe për 2 të tjerë është shpallur procedura, por jo fituesit. Fondi limit për 20 tenderët e shpallur ka qenë 1,27 miliardë lekë, ndërkohë që fondi limit për 17 tenderët e fituar arrin në 1,18 miliardë lekë.
Nga këta 17 tenderë, 11 janë zhvilluar me procedurë të hapur, 3 me procedurë me negocim, ndërsa 3 të tjerë kanë qenë shtesë kontrate. Këto prokurime janë realizuar nga 11 drejtori të spitaleve rajonale dhe janë fituar nga 6 subjekte.