November 24, 2024

I biri i Soros, kumbari i ndarjes së Kosovës

Alexander Soros, biri i magnatit amerikan, George Soros, ka qëndruar të martën në Beograd, në përpjekje për të siguruar mbështetje për një “kompromis” mes Kosovës e Serbisë.

Soros i Riu, i cili është zëvendës-president i Bordit Drejtues të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, ka kërkuar mbështetjen e shoqërisë civile, në Kosovë dhe në Serbi, për arritjen e këtij “kompromisi”.

Në takimin që ka pasur në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Soros i Riu është biseduar për përkrahjen që mund të japë shoqëria civile dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur për “forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Kabineti i Vuçiqit kumtoi se Alexander Soros ka thënë se Ballkani dhe Evropa kanë nevojë për një zgjidhje të çështjes së Kosovës e cila do të jetë e qëndrueshme dhe do t’i kontribuojë paqes e stabilitetit. Ai ka theksuar se për gjetjen e kompromisit është e nevojshme mbështetja e shoqërisë civile, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë.

Ndërkaq, Vuçiqi ka theksuar se “përparimi i marrëdhënieve është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Alexander Soros konsiderohet kumbar i idesë për “korrigjim” të kufirit midis Kosovës e Serbisë. Sipas raportimeve të medieve, për këtë ide ai është konsultuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

*Ramadan Muçolli, sipas komunikatës së kabinetit të Presidentit të Serbisë/Illyria

Facebook Comments

MineralHygienics.com