November 25, 2024

Trepça/Punëtorët pa rroga

Gjendje mjaft e rëndë është krijuar në Kombinatin metalurgjik “Trepça”, ku aktualisht ndërmarrja po shënon rënie të mëdha të prodhimit. Kjo ndërmarrje e cila dikur ka qenë gjigant, aktualisht nuk po arrin t’i sigurojë as pagat për 1 mijë e 300 punëtorëve.

Ish-drejtori i përgjithshëm në Trepçë, Halil Qela, i cili aktualisht është drejtor i flotacionit në këtë ndërmarrje, ka thënë në një intervistë për KosovaPress se gjendja aktuale fatkeqësisht nuk është e mirë dhe sipas tij, nëse nuk bëhet një zgjidhje e shpejt dhe e drejtë prej Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht e Qeverisë, do të ketë rrezik në këtë muaj për sigurimin e pagave për punëtorë, e mos të flitet siç tha ai për ekzistencën e Trepçës.

Ai thotë se meqë Qeveria kishte shpallur këtë vit si të Trepçës, ishte dashur me u arsyetuar.

Qela shtoi se Trepça duhet me u regjistruar, sepse siç tha ai trendët e rënies së prodhimit kanë filluar vite më parë. Ai ka folur edhe për minierat në veri, që sipas Qelës ato janë të ndara dhe nuk menaxhohen nga pjesa e menaxhmentit në jug.

Sipas tij, prodhimi ka qenë më i vogël në minierat e veriut përreth 40 mijë tonë, ndërsa, në atë pjesë paga mesatare është mbi 700 euro që janë mbi 1.200 punëtorë në pjesën veriore.

Ish-drejtori i Trepçës ka treguar se në vitet e para luftës prodhimi në këtë kombinat ka qenë mbi 700 mijë tonë. Në kohën kur Qela e ka drejtuar kombinatin, në vitin 2012-2014, prodhimi thotë se ka qenë 240 mijë tonë në minierën e Stantërgut dhe Kishnicës, ndërsa, sot është shumë më pak, rreth 40 përqind. Qela ka rrëfyer edhe për shitjet nga kombinati para luftës, i cili pohon se nuk është shitur vetëm koncentrat, ka pasur metale të gatshme dhe ka pasur prodhime finale.

Kjo ndërmarrje pas luftës vetëm në vitin 2013, kishte arritur me paguar tatim mbi fitim shtetit 400 mijë euro. Në fund Qela ka thënë se prej fillimit të punës ose dhënies së licencës për prodhim diku në vitin 2005-2006, në Trepçë ka qenë një rritje e vazhdueshme e prodhimit 20-24 për qind dhe duke filluar prej 2005 deri në vitin 2012, ndërsa, në vitin 2012 ka pasur një rritje prej 37 për qind të prodhimit, e cila sipas tij, ishte rritje më e madhe që prej pas luftë, përgatiti Koha.

Facebook Comments

MineralHygienics.com