Të martën është identifikuar rasti i tretë me virusin e Nilit në Kosovë, ndërkaq ditë më parë, një person ka ndërruar jetë në Kosovë, si pasojë e këtij virusi. Zyrtarë shëndetësorë thonë se edhe një tjetër person është trajtuar në Klinikën Infektive me virusin Nil, por trajtimit është dërguar në shtëpi.
Lajmin për prezencën e këtij virusi e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë e drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, duke shtuar se deri më tanitre pacientë janë diagnostikuar me këtë virus, ndërsa një ka përfunduar me fatalitet.
“Në laboratorët e Institutit Kombëtar sot është detektuar edhe një rast me praninë e virusit të Nilit, i cili është i shtrirë në Klinikën Infektive dhe është në fakt rasti i tretë i diagnostikuar në Institutit Kombëtar, saktësisht në laboratorët e mikrobiologjisë. Ai ka filluar gjatë javës së kaluar, ka pasur shenja klinike dhe ditën e martë ka rezultuar me diagnozë të virusit të Nilit”.
“Edhe rasti tjetër që ka përfunduar me fatalitet nga virusi i Nilit, ndonëse është shtrirë në Klinikën Infektive me sëmundje kronike, pas analizave laboratorike ka rezultuar i preku me virusin e Nilit”, tha Ramadani.
Infeksioni i virusit të Nilit te njerëzit, kryesisht është rezultat i kafshimit nga mushkonjat e infektuara.
Shtatëmbëdhjetë të vdekur si pasojë e virusit të Nilit është bilanci i një jave në vendet e Evropës. Kështu bën të ditur Qendra Evropiane për Mbrojtje dhe Kontroll nga Epidemitë. Sipas të dhënave të këtij institucioni, në Serbi janë nëntë të vdekur, tre në Greqi, një në Itali, një në Rumani dhe një në Kosovë.
Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive bëri të ditur se rasti i cili ka përfunduar me fatalitet, ka qenë e sëmurë me sëmundje kronike. Më pas është diagnostikuar me virusin Nil, por që gjithashtu ka pasur probleme serioze edhe me mushkëri e zemër.
“Ne nuk e dimë nëse virusi i Nilit ka shkaktuar vdekjen e këtij personi. Kjo ka qenë mjaft në moshë, pra mbi moshën 80-vjeçare. Ka ardhur në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me probleme kronike serioze, dhe më pas ka vdekur”, tha Ramadani.
Ramadani shton tutje se në Kosovë në vitet paraprake asnjëherë nuk ka pasur vdekshmëri nga ky virus. Derisa sa i përket trajtimit të këtij infeksioni, Klinika Infektive, siç thotë Ramadani, është në gjendje gatishmërie për trajtim të pacientëve.
Sidoqoftë, ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë prej fillimit të korrikut, në nivel qendror dhe periferik ,janë në gjendje gatishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes. Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të gatshme të pranojnë mostra dhe të diagnostikojnë rastet e sëmundjes, kanë thënë zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.