November 25, 2024

Vetëm 32 të qindtat larg medaljes në Europian, Luiza Gega

Luiza Gega që u “dogj” vetëm për 32 të qindtat e sekondës në Europianin e Atletikës ka komentuar ecurinë e saj.

Atletja shqiptare e mbylli Europianin në Berlin në vend të katërt, ku i shkoi shumë pranë medaljes.

Në Facebook, Gega shkruan se besonte te medalja: “Kampionati Europian u mbyll në vendin e katërt, edhe pse luftova deri në fund për medalje, isha kaq afër por nuk arrita dot ta marr. Jam e mërzitur, pasi besoja shumë që do arrija medalje, por fati nuk ishte me mua”, shkruan rekordmenia shqiptare e atletikës në Facebook.

Gega që është shpallur edhe kampione e Mesdheut është e kënaqur me rezultatet e arritura këtë vit dhe thotë se ndjehet krenare me rezultatet e arritura.

“Ndihem shumë krenare për rezultatet e arritura këtë vit. Rekord kombëtar, rekord Mesdheu, kampione Mesdheu dhe vendi i katërt në kampionatin Europian dhe për më tepër jam e shëndetshme dhe ndihem shumë e fortë për garat në vazhdim”, përfundon postimi i Luiza Gegës, e cila e mbylli e katërta Europianin e atletikës në garën e 3000 metrave me pengesa duke arritur kohën 9 minuta 24 sekonda e 78 të qindtat.

Image

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com