Hetimet e fundit kanë zbuluar se Ritvan Zykaj e kishte paralajmëruar krimin e rëndë në fshatin Resulaj të Vlorës. Nga dëshmitë e dhëna në prokurori, rezulton se 24-vjeçari shpesh ju kishte thënë të afërmve “do ju bëj hatanë, ndaj mos më bini në qafë”, por askush nuk e kishte marrë seriozisht.
Siç rezulton në një rast, ai ishte dyshuar tetë vite më parë për grabitje me armë, por historia në fshat ishte mbyllur mes të afërmish. Pas masakrës vrasësi ka firmosur kartën e të drejtave, por për disa orë rresht marrja në pyetje e tij ka qenë e pamundur. Shkak është bërë refuzimi i çdo avokati për ta marrë në mbrojtje dhe për të përfaqësuar të drejtat e tij.
Për këtë arsye prokuroria ka siguruar dy ditë pas masakrës një avokat kryesisht të caktuar nga shteti. Ritvan Zykaj parashikohet të dalë para gjykatës të hënën, në orën 10.30.
Ritvan Zykaj vrau tetë persona, kushërinj të tij, pasditen e të premtes në fshatin Resulaj, të Selenicës në Vlorë. 24-vjeçari u arrestua të nesërmen, pranë fshatit ku kreu krimin e rëndë.