November 25, 2024

Banka e Shqipërisë: Ja 3 arsyet e rënies së euros!

Ashtu siç edhe paralajmëroi Guvernatori Gent Sejko më herët në konferencën për shtyp, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të blejë valutë në tregun e brendshëm, me qëllim stabilizimin e kursit të këmbimit valutor.

Dje, në një takim me gazetarët në prezantimin e raportit 3-mujor të politikës monetare, Banka e Shqipërisë shpjegoi se blerja e valutës do të vazhdojë derisa rreziqet për të mbajtur në objektiv inflacion të kalojnë.

“Në terma strategjikë, përdorimi i këtij instrumenti synoi shmangien e materializimit të efekteve negative që forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit mund të kishte në përmbushjen e objektivit të inflacionit. Në terma operacionalë, instrumenti synoi frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit dhe krijimin e premisave për një aktivitet më normal tregtimi në tregun e brendshëm valutor. Ky instrument do të vijojë të përdoret derisa rreziqet për arritjen e objektivit të inflacionit me origjinë kursin e këmbimit, të kenë kaluar”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

SA U ZHVLERËSUA EURO

Dje, një euro u shkëmbye me 125.5 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një nivel pothuajse i pandryshuar që prej fillimit të muajit gusht. Banka e Shqipërisë shpjegon se kursi i këmbimit ka pasur një ecuri mbiçmuese gjatë dy viteve të fundit, në pasqyrim të përmirësimeve strukturore të ekonomisë shqiptare. Referuar raportit të politikës monetare, leku u mbiçmua mesatarisht me 2.3 për qind kundrejt euros në vitin 2017, por ky mbiçmim u përshpejtua rreth nivelit 6.4 për qind, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. “Forcimi i lekut ishte veçanërisht i përqendruar në muajin maj dhe në javën e parë të muajit qershor, kur në harkun kohor të 5 javëve, leku u mbiçmua me rreth 3.4 për qind”, thuhet në raportin e politikës monetare.

ARSYET E ZHVLERËSIMIT

Por, cilët janë faktorët që sollën rënien e euros? Sipas analizës “Mbi ecurinë e kursit të këmbimit në gjysmën e parë të vitit 2018”, Banka e Shqipërisë jep këto tri arsye të rënies së euros. “Forcimi i shpejtë i kursit ka ndodhur në prani të vëllimeve relativisht të ulëta të tregtimit në tregun e brendshëm valutor; është lehtësuar nga mungesa e dëshirës së bankave për të luajtur rolin e tyre amortizues; dhe është shoqëruar me rritje të pasigurisë në tregun valutor”, thuhet në analizën e Bankës Qendrore.

Facebook Comments

MineralHygienics.com