November 25, 2024

ONM kërkon shkarkimin e gjyqtarit Artur Malaj

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që mbikëqyr procesin e vettingut në Shqipëri, kërkon shkarkimin e gjyqtarit Artur Malaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) pak ditë më parë, në datën 3 gusht 2018 e konfirmoi në detyrë Malajn edhe pse kishte mjaftueshëm arsye dhe prova për ta shkarkuar.

Konfirmimi në detyrë i Malajt solli dyshime të reja mbi seriozitetin e trupës së KPK-së, pasi gjyqtari nuk e kishte kaluar as vlerësimin e pasurisë dhe as atë të sjelljes.

Sipas njoftimit të Komisionerëve Publikë, ONM-ja rekomandon animimin e konfirmimin në detyrë të Artur Malaj, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, dhe kandidat për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Njoftimi i Komisionerëve Publikë:

Në datë 3.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Artur Malaj, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, dhe kandidat për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Sot, më datë 10.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Artur Malaj.

Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.

Ky vendim ende nuk është njoftuar.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com