Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi, ka lëshuar një deklaratë të fortë për gazetën “Zëri” duke dekonspiruar se kush qëndron në të vërtetë pas nismës së presidentëve Thaçi e Vuçiç, për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës.
Kamberi është i bindur, se ideja e këtij plani ka ardhur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur i Xhorxh Soros dhe gjithashtu është sponsorizuar, nga vetë kreu i shtetit në Beograd, Aleksandër Vuçiç.
“Ideja për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës ka ardhur pas një raporti të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, në të cilin jepet oferta për shkëmbimin e Preshevës me katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”, ka thënë Kamberi për këtë çështje të nxehtë.
Shaip Kamberi, më herët ka qenë deputet në Parlamentin e Serbisë, ku ka pasur përplasje të ashpra në legjislativ në atë kohë me ish-kryeministrin Aleksandër Vuçiç, tashmë President i Serbisë. Ai thotë në këtë intervistë gjithashtu, se Lugina e Preshevës nuk është vetëm Presheva e aq më pak disa vendbanime kufitare në ish-Zonën Tokësore të Sigurisë, por përfshin tri komunat: Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin me 1264 kilometra katrorë.
Kryatari i Komunës së Bujanovcit insiston, se çdo zgjidhje parciale për Luginën e Preshevës do të sjellë tragjedi humanitare, duke shtuar se Lugina e Preshevës nuk kërkon kurrfarë zgjidhje, e cila cenon integritetin territorial të Kosovës e as Kosova për hatër të Luginës të heqë dorë nga ndonjë prej kërkesave të saj karshi Serbisë.
“Ne po flasim për deklarimin e shqiptarëve të këtij rajoni në Referendumin e vitit 1992, në të cilin jemi deklaruar për të drejtën e bashkëngjitjes me Kosovën. Pra, një kërkesë e shtruar në mënyrë plebishitare para se të krijohet situata aktuale në veri të Kosovës”, deklaron ai.
Sipas Kamberit, Serbia ka angazhuar edhe ekspertë të jashtëm për t’i bërë “llogaritë” e skenarëve të zgjidhjeve të mundshme të çështjes së Kosovës.
“Siç e thashë edhe më lart, ne nuk kërkojmë kurrfarë flijimi që Kosova duhet të bëjë për dëshirat tona, ne kërkojmë që e drejta e shprehur nga popullata shqiptare të gjendet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel”, ka pohuar gjithashtu Kamberi.