Deputeti i Levizjes Socialiste për integrim Shezai Rrokaj ka reaguar pas publikimit të raportit të DASH për klimen e biznesit në Shqipëri.
“Tani dihet botërisht se kjo Qeveri është e kapur nga një grup oligarkësh të cilët, për interesa vetjake, i bëjnë presion për të penguar futjen e investimeve të huaja, duke mënjanuar konkurrencën e transparencën”, shkruan Rrokaj në një shenim në rrjetet sociale.
Ja postimi i plot i tij në facebook:
DASH për klimën e investimeve në Shqipëri
Para disa ditësh disa media serioze, analistët realistë dhe opozita vunë në dukje qëndrimin e DASH-it për klimën e investimeve në Shqipëri. Mirëpo Qëveria nxitoi të thoshte se nuk kishte një raport të tillë, ndaj edhe ato që thuheshin ishin “fake neës”. Menjëherë më pas doli edhe Ambasada Amerikane. Por populli thotë se ku ka zë s’është pa gjë dhe se ato që u botuan para disa ditësh nuk janë Ali Hoxha, por janë Hoxha Aliu.
Departamenti Amerikan i Shtetit tregon qartë në raport se si është klima e investimeve të huaja në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë, ashtu si dhe FMN-ja, kritikon konçesionet e Qeverisë nëpërmjet kontratave të partneritetit publik-privat, krahas problematikës tepër shqetësuese për nivelin e lartë të korrupsionit dhe qëndrimin e Qeverisë, e cila vepron me dy standarde, duke favorizuar hapur kompani me lidhje politike me të, gjë që shpie në mungesën e transparences dhe cënimin e konkurrencës në prokurimet publike. Investitorët e huaj -thuhet në raport- e konsiderojnë Shqipërinë si “një vend i vështirë për të bërë biznes”.
Po këtë gjë e konfirmon edhe Gjykata Evropiane e Llogarive, si institucioni më i lartë i auditit në BE e cila, duke analizuar procedurat e prokurimit për vitin 2017, ka konstatuar se 30% e prokurimeve publike janë bërë pa garë nëpërmjet procedurës së negociimit. Tani dihet botërisht se kjo Qeveri është e kapur nga një grup oligarkësh të cilët, për interesa vetjake, i bëjnë presion për të penguar futjen e investimeve të huaja, duke mënjanuar konkurrencën e transparencën.
Dhe Ligji për Teatrin ose, si i thonë ndryshe në popull, Ligji për Kullat, është dëshmia më e qartë se si me ligj të veçantë parapërzgjidhet investitori, duke shkelur hapur marrëveshjet ndërkombëtare, Kushtetutën dhe gjithë legjislacionin rregullator për investimet, konkurrencën dhe transparencën.