Austria e mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë, por Bashkimi Europian kërkon fakte se ky vend po lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivele të larta. Deklarata vjen nga ambasadori i Austrisë në Shqipëri Johann Sattler për televizionin ‘News 24’.
“Konkluzionet e Këshillit të BE-së janë mëse të qarta. Kur vjen çështja te Shqipëria kushtet dihen mirë. Lufta kundër krimit të organizuar që shkon në nivele të larta. BE kërkon fakte dhe emra. Kemi parë gjatë viteve të kaluara disa përpjekje të mira, por kanë qenë kryesisht të nivelit të ulët apo të mesëm. Duam të shohim që kjo luftë bëhet në nivelet e larta. E njëjta kërkesë është edhe sa i përket korrupsionit. Ka disa padi dhe dënime, por janë të nivelit të ulët apo të mesëm. Nevojitet që të kalohet në nivelet e larta” deklaron ambasadori Austriak vendi i të cilit në fillim të muajit korrik mori presidencën gjashtë mujore të Bashkimit Europian.
Sipas ambasadorit Sattler, një tjetër temë është ajo e reformës zgjedhore. “Kjo është diçka me shumë rëndësi, diçka që ka qenë në tavolinë për një kohë të gjatë propozuar nga OSBE dhe ODIHR. Rekomandimet janë të qarta dhe Shqipëria mund të dëshmojë se ka dëshirën për t’i zgjidhur këto çështje” deklaron ambasadori Austriak.