November 24, 2024

BE përshëndet strukturat pranë bashkive: Do ta sjellin Europën më pranë qytetarëve

Në mbledhjen e sotme, qeveria ka vendosur krijimin e strukturës së integrimit evropian në çdo bashki të vendit, si njësi bazë e vetëqeverisjes vendore. Në vendimin e zbardhur nga qeveria bëhet e ditur edhe përgjegjësitë e kësaj strukture.

Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me/dhe me drejtimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, mbështet, koordinon dhe monitoron forcimin e kapaciteteve të bashkive për përmbushjen e kritereve dhe të standardeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian për funksionet e veta apo të deleguara të bashkisë.

Pas këtij vendimi ka reaguar në twitter edhe delegacioni i BE, i cili mirëpret vendimin e qeverisë shqiptare për krijimin e kësaj strukture si një përparim të madh i cili do të luaj një rol efektiv e të rëndësishëm në qeverisjen lokale.

Stusi i plotë:

“Delegacioni i Bashkimit Europian e mirëpret miratimin e vendimit nga Qeveria Shqiptare për krijimin e strukturës së integrimit evropian në çdo bashki. Ky është një përparim i madh drejt përgatitjes së qeverisë lokale, për të luajtur në mënyrë efektive rolin e saj të rëndësishëm për ta sjellë BE më afër qytetarëve”

V E N D I M PËR BASHKËRENDIMIN DHE KOORDINIMIN E PROCESIT TË INTEGRIMIT EVROPIAN, NDËRMJET QEVERISJES QENDRORE DHE NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, pika 1, nënpika 1.1, shkronja “c”, 10, 11, dhe 12, pika 3, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme,

Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e strukturës së integrimit evropian në çdo bashki, si njësi bazë e vetëqeverisjes vendore, brenda strukturave të tyre administrative ekzistuese, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”.

2. Përgjegjësitë e strukturës së integrimit evropian që krijohet në bashki janë, si më poshtë vijon:

a) Bashkërendimi dhe mbështetja e strukturave administrative të bashkisë për zbatimin e politikave, të legjislacionit, të investimeve dhe të shërbimeve të lidhura apo që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, në nivel vendor;
b) Bashkërendimi i strukturave administrative dhe përfaqësimi i bashkisë në marrëdhënien me strukturat e qeverisjes qendrore përgjegjëse për integrimin evropian dhe proceset përbërëse të tij;
c) Bashkërendimi i strukturave administrative të bashkisë për rritjen e kapacitetit përthithës të përdorimit të asistencës së Bashkimit Evropian për procesin e integrimit evropian në nivel vendor;
ç) Bashkërendimi, organizimi dhe drejtimi i aktivitetit publik të bashkisë, me qëllim realizimin e funksioneve të veta apo të deleguara në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të zbatimit të asistencës të Bashkimit Evropian për këtë proces;
d) Mbështetja dhe drejtimi i strukturave administrative të bashkisë për përgatitjen, zbatimin, monitorimin, vlerësimin dhe informimin për projektet e financuara nga programet e asistencës së Bashkimit Evropian për procesin e integrimit evropian në nivel vendor;
dh) Hartimi çdo 6 (gjashtë) muaj ose, nëse kërkohet, sipas rastit, për të informuar Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, lidhur me përmbushjen e kritereve dhe të standardeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian dhe/ose zbatimit të asistencës së BE-së, për funksionet e veta apo të deleguara të bashkisë;
e) Informimi në mënyrë periodike i publikut dhe i grupeve të tjera të interesit për procesin e integrimit evropian, për politikat e BE-së dhe mundësitë për përfitim nga asistenca e Bashkimit Evropian, nëpërmjet këndeve të Bashkimit Evropian, të cilat krijohen dhe funksionojnë brenda bashkisë;
ë) Administrimi dhe publikimi i informacionit rreth Bashkimit Evropian dhe procesit të integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë, në faqen zyrtare të internetit të bashkisë, informacion i cili duhet të ketë formë dhe përmbajtje të unifikuar për të gjitha bashkitë;
f) Organizimi i aktiviteteve informuese dhe promovuese mbi programet dhe projektet e Bashkimit Evropian, me mbikëqyrjen dhe mbështetjen e strukturave të Koordinatorit Kombëtar të Instrumentit të Parazgjerimit (NIPAC).

3. Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me/dhe me drejtimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, mbështet, koordinon dhe monitoron forcimin e kapaciteteve të bashkive për përmbushjen e kritereve dhe të standardeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian për funksionet e veta apo të deleguara të bashkisë dhe ka këto përgjegjësi:

a) Monitoron në mënyrë periodike përmbushjen e detyrimeve nga bashkitë, lidhur me ngritjen e strukturave të integrimit evropian dhe performancën në zbatimin e funksioneve të tyre, sipas përcaktimit të këtij vendimi;
b) Monitoron, mbështet dhe koordinon punën për zgjidhjen e problemeve të hasura, nëpërmjet Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, me qëllim funksionimin e strukturës së integrimit evropian në çdo bashki;
c) Mbështet bashkinë në përcaktimin e fushave, prioriteteve dhe/ose çështjeve ku duhet të orientohet kërkesa e tyre për asistencën e Bashkimit Evropian;
ç) Bashkërendon me bashkitë procesin e vlerësimit kombëtar të performancës së tyre mbi plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian;
d) Analizon zbatimin e masave për realizimin e agjendës së integrimit evropian në nivel vendor dhe ndikimin në lidhje me procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

4. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mbikëqyr, jep orientim strategjik dhe informon mbi procesin e integrimit evropian dhe politikat e programet respektive, të cilat mund të zbatohen në nivel vendor dhe ka këto përgjegjësi:

a) Siguron pjesëmarrjen e përfaqësuesve të njësive të vetëqeverisjes vendore në forumet apo strukturat konsultuese për procesin e integrimit evropian dhe të asistencës së Bashkimit Evropian për këtë proces;
b) Bashkërendon punën me Ministrinë e Brendshme dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, lidhur me asistencën dhe mbështetjen e bashkive në procesin e forcimit të kapaciteteve të tyre për procesin e integrimit evropian;
c) Informon mbi asistencën e Bashkimit Evropian për procesin e integrimit evropian, përfshirë programet nga të cilat përfitojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore;
ç) Informon bashkitë lidhur me hapjen e thirrjeve për propozime, në kuadër të programeve të ndryshme të financuara nga Bashkimi Evropian, nga të cilat përfitojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore;
d) Mundëson konsultimin e bashkive në lidhje me procesin e aplikimeve, duke shërbyer njëkohësisht si pikë lidhjeje e tyre me strukturat përkatëse të menaxhimit të programeve të financuara nga Bashkimi Evropian;
dh) Mbikëqyr kapacitetin dhe masën e përthithjes së asistencës së Bashkimit Evropian nga bashkitë.

5. Ministritë janë përgjegjëse për sigurimin e informacionit të nevojshëm për problemet sektoriale që lidhen me zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian, sipas sektorëve që mbulojnë dhe në përputhje me funksionet e bashkive dhe kanë këto përgjegjësi:

a) Të caktojnë personin përgjegjës që do të shërbejë si pika kryesore e komunikimit me Ministrinë e Brendshme;
b) Të japin informacion për projektet e financuara nga Bashkimi Evropian dhe donatorë të tjerë për sektorin që mbulojnë, ku përfitues është bashkia;
c) Të analizojnë të dhënat specifike që dalin nga vlerësimi kombëtar i përformancës së bashkive, lidhur me procesin e integrimit evropian, sipas sektorëve që mbulojnë.

6. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit të ngrejë platformën elektronike intranet, të dedikuar për bashkitë, e cila do të shërbejë për ndarjen e praktikave më të mira, eksperiencave dhe informacionit mbi aktivitetet dhe çështjet e Bashkimit Evropian në bashki.

7. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministritë e linjës dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Facebook Comments

MineralHygienics.com