December 25, 2024

Boçi:Vettingu është selektiv, nga ëngjëll doli një djall politik

Për Partinë Demokratike, procesi i Vettingut dhe rivlerësimit të gjyqtarëve nuk po bëhet në mënyrë objektive, dhe kjo për shkak të ndërhyrjes së Kryeministrit Edi Rama, që për opozitën, po tenton të kapë sistemin e Drejtësisë.

Kjo u theksua nga deputeti i PD-së Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” me Erjon Çikun.

Sipas deputetit demokrat, në seancat dëgjimore të Vettingut deri më tani, është vënë re një përzgjedhje selektive sa i përket prokurorëve dhe gjyqtarëve që kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit.

Boçi thekson se ka gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët janë kapur me mosdeklarim të saktë të pasurisë, apo pikëpyetje lidhur me pastërtinë e figurës së tyre, të cilët sërish kanë arritur të kalojnë Vettingun. Në një kohë, ku po për të njëjtat pasaktësi, shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar.

Deputeti i PD-së nënvizon se kjo po bëhet me ndërhyrjen e Kryeministrit Rama, që sipas tij ka shtrirë falangat edhe në sistemin e Drejtësisë, i cili pa Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, rrezikon të shkojë në kolaps.

Për këtë arsye, ai e cilëson procesin e Vettingut si një ëngjëll që po shndërrohet në një djall politik, me bekimin e Edi Ramës.

Për Boçin shembull i tillë është edhe ligji për Shkollën e Magjistraturës, për të cilin thotë është një hap më tej i qeverisë për të kapur Drejtësinë.

Luçiano Boç thekson se nga ana e saj PD nuk po përpiqet të bllokojë reformën në Drejtësi, por vetëm ta bëjë atë një proces objektiv, duke iu përmbajtur marrëveshjes së Korrikut të dy viteve më parë.

Facebook Comments

MineralHygienics.com