November 27, 2024

Stresi dhe Kejsi rrëfejnë dashurinë

Këngëtari i hitit “Love Story” rrëfen për herë të parë dhe ekskluzivisht në “RevistaWho.Com” historinë e tij të dashurisë, që nisi me një porosi nga nëna e Kejsit për t’ia ruajtur vajzën dhe që përfundoi në një lidhje plot me të papritura.

Djali i prapë dhe vajza e mbarë. Rrugët që u kryqëzuan për të bashkuar dy njerëz kaq të ndryshëm në një udhëtim të përbashkët. Pasion, xhelozi, dashuri, arrati, ikje, rikthime, telefonata disaorëshe, takime në Europë e një udhëtim i pazakontë në Tropojë mes dëborës. Çdo gjë në sekret të plotë, larg syve të botës, larg vëmendjes së familjes, larg të gjithëve e kaq pranë njëri-tjetrit. Ai dhe ajo në më shumë se tri vite në një rrëfim të denjë për skenar kinemaje. Historia e tyre ka brenda romancën, komedinë dhe aksionin…

Stresi dhe Kejsi, rrëfejnë pa doreza gjithçka për lidhjen e tyre, që nga prezantimi i rastësishëm që ju bëri mamaja e vajzës, te dita e parë kur u takuan, javët në arrati maleve të Shqipërisë pa dijeninë e prindërve të saj. Është një histori takimesh të fshehta nëpër botë, janë orë të gjata bisedash në ‘Skype’ që e linin hapur edhe gjatë natës për t’i thënë të parët ‘mirëmëngjes’ njëri-tjetrit. Rrëfimi i tyre përfundon te celebrimi pa shumë bujë i dashurisë së tyre 3-vjeçare, tamam siç Kejsi donte. Çifti rrëfen ekskluzivisht në “RevistaWho.Com” edhe planet për ta lënë përgjithmonë Shqipërinë si dhe zbulojnë një lajm të keq për të gjithë adhuruesit e muzikës së Stresit: ai po përgatit albumin e fundit muzikor, ku do të tregojë të gjitha të vërtetat e tij, sepse tani e tutje e para do të jetë familja, e cila do të gëzohet me një dasmë të madhe, kur ai ta vendosë. Zbuloni vajzën që Stresi ia mbajti fshehur botës, vajzën që e deshi vetëm për vete, në një intervistë kur flasin të dy, për të plotësuar njëri-tjetrin.

Si ka nisur historia juaj e dashurisë?

STRESI: Ka nisur në lagje përpara 3 vitesh e gjysmë. Unë njihja mamin e Kejsit nëpërmjet vëllait tim, iu prezantova asaj si djali i vogël i familjes. Pak më vonë kaluan Kejsi dhe motra e saj, por unë nuk i kushtova shumë rëndësi. Ditën tjetër mami Kejsit më kërkoi të bëjmë një foto bashkë dhe unë pranova, pasi mbaroi tha që donin edhe vajzat foto, por ato ikën.

KEJSI: Ne u fshehëm në atë moment te makina (qesh).

STRESI: Dhe kështu nisi, secili ka sekretin e tij të përjetimit.

KEJSI: Ka nisur me prekje në krah. Unë atë ditë që kam kaluar kam qenë e palyer dhe nuk kam dashur që të më shohë, por mami na prezantoi. Unë thjesht e përshëndeta dhe ktheva kokën që të mos më shihte. Në atë moment e preka në krah dhe ai mendoi se unë e preka nga inati. Pastaj më qerasi nëpër lagje dhe unë e shikoja dhe mendoja: ‘Po ky mirë njëherë për respekt të mamit, po përherë ç’kuptim ka’… Kam qenë unë e para që i kam shkruar dhe i thashë: “Faleminderit për respektin, por po na fut në borxh”. Stresi nuk ishte tipi që të ngacmonte, shikonte punën e tij.

STRESI: Nëna e Kejsit më la porosi t’ia ruaja vajzën nga çunat e lagjes, që mund ta ngacmonin (qesh).

Image

Kafen e parë pas sa kohësh e keni pirë së bashku?

KEJSI: Folëm disa ditë dhe më ftoi për darkë, por mua nuk më lejonte mami dhe i thashë ‘jo, nuk mundem’. Dhe ai më tha që nëse nuk më lejonte mami as ai vetë nuk donte. Si përfundim nuk e lamë për darkë, por për kafe, në lagje madje.

STRESI: Ishte këmbëngulja e fillimit, doja patjetër ta takoja. Kur u takuam unë prita që të ishte një përshëndetje e thjeshtë meqë kishim folur vetëm në ‘Instagram’, por Kejsi m’u hodh në qafë.

KEJSI: Mos e ekzagjero (qesh). Çështja ishte që ne flisnim 24 orë dhe unë nuk mund t’i rrija me turinj. Unë po ecja para dhe kur arrita te shkallët, siç isha u ktheva dhe i hapa krahët. Ky u çudit shumë, dukej që nuk e priste.

STRESI: I kam thënë por i vjen inat, unë i bëj për vete të gjithë njerëzit (qesh).

Çfarë të pëlqeu te Kejsi kur e ke parë për herë të parë?

STRESI: Më ka pëlqyer si ‘kallëp’ e para (qesh). Bëj shaka se në fakt e kam pëlqyer si vajzë në fillim, pastaj e njoha më tepër. Sigurisht që kam parë vetitë e saj, karakterin dhe familjen nga e cila vjen, janë shumë gjëra.

Është e rëndësishme për ty familja e vajzës me të cilin do krijosh një marrëdhënie?

STRESI: Po patjetër, familja është e para.

KEJSI: Kur ka nisur marrëdhënia jonë ishim ‘ne kundër botës’, pasi Arkimedi është person publik dhe unë nuk e dija si do e priste familja ime, ndërsa familjen e tij nuk e kisha takuar akoma.

STRESI: Unë isha edhe problematik në atë kohë, ishte kulmi im atëherë.

KEJSI: Prandaj e mbajtëm të fshehtë për shumë kohë, derisa u siguruam që djali do shtrohej (qesh). Kishim idenë që nëse ne do jemi mirë me njëri-tjetrin edhe familjet do na pranojnë. Dhe ashtu ndodhi, tashmë edhe familjet tona janë shumë të lidhura.

Ka pasur në ndonjë moment kundërshtim nga familjet?

KEJSI: Ka pasur kundërshtim në momentin që kanë dalë fotot në fakt, sepse familja ime nuk e dinte. Babi kishte zbuluar rastësisht në telefonin tim foto me Stresin, por unë për të qetësuar gjendjen i thashë që jemi ndarë dhe që ka ikur në Spanjë, pasi në atë kohë ai iku vërtet në Spanjë. Në të vërtetë ne vazhduam dhe e mbajtëm të fshehtë pasi unë nuk isha gati të tregoja çdo gjë në familje. Dhe kur dolën fotot ata mendonin që ne i kishim ndërprerë marrëdhëniet, prandaj ju erdhi e papritur. Ndërsa ne ishim akoma bashkë dhe takoheshim te kati -2 në pallat. Mamit ia tregova të parës kur dolën fotot, madje ishim në makinë dhe i thashë ‘ndaloje se kam një lajm’. Ajo u mërzit sepse nuk e priste dhe më shumë për faktin që u bënë gjërat aq publike, sepse me Arkimedin nuk kishte asgjë. Unë jetoja jashtë, lidhje me rrjetet nuk kisha, por ne përfituam nga ai rast për ta pranuar që ishim bashkë.

Sa vite keni bashkë?

KEJSI: 3 vite e gjysmë.

Kejsi, në momentet e ‘çmendurisë’ së Stresit si i ke përjetuar gjërat?

KEJSI: Unë jam tip i tillë, diçka ose më intereson shumë deri në çmenduri, ose nuk më intereson fare. Dhe për Stresin mua më ‘çmend’ çdo gjë.

STRESI: Është xheloze në maksimum, nuk e ke idenë sa shumë (qesh).

KEJSI: Jo, nuk jam xheloze, madje jam shumë e kuptueshme. Por fakti që unë jam njeri i thjeshtë dhe që në krah kam një person publik ndikon. Unë jam shumë e qetë, por kam inat mungesën e korrektësisë, madje kjo ka qenë arsyeja pse shpesh kemi pasur zënka. Ka ndikuar edhe fakti që lidhjen e kemi mbajtur në distancë dhe ka qenë shumë e vështirë. Nëse nuk tregon korrektësi për diçka kaq të vogël sa ora, si mund ta mbash një lidhje nga Kanadaja në Shqipëri?

Si ka funksionuar lidhja juaj në distancë? Çfarë ka ndodhur gjatë asaj kohe?

KEJSI: Takoheshim në Europë. Sa herë unë kisha mundësi nga shkolla, ai vinte më takonte në një shtet të caktuar. Ndërsa këtej jo asnjëherë, madje fshihesha kur vija këtu se kishim frikë mos na shikonin.

STRESI: Madje ka ndodhur edhe që jemi arratisur të dy. Unë do nisesha për koncert në Greqi kur më telefonon babi dhe më thotë që isha në kërkim. Marr makinën bashkë me Kejsin dhe ikim. Mbaj mend që ishte dëborë e madhe dhe ikëm për në Tropojë, madje më ka ikur makina dy herë nga duart sepse rrëshqiste. Asnjë nuk futej në atë rrugë, por unë u futa dhe ngeca. Policia më kërkonte unë kisha ngecur në dëborë. Disa njerëz më njohën dhe e dinin që isha në kërkim, por më ndihmuan duke vënë zinxhir te gomat dhe ndenjën me ne.

KEJSI: Kjo ka qenë hera e parë që unë kam ardhur në Shqipëri për ta takuar dhe aty kam kuptuar që e dua vërtetë. Unë isha veshur shumë trashë sepse bënte shumë ftohtë, ndërsa Stresi kishte vetëm me një pulovër dhe atlete. Del nga makina dhe mundohet të heqë dëborën që kishte ngecur në rrota me duar. Unë doja ta ndihmoja, por ai nuk më la të dal nga makina për asnjë moment, më thoshte të rrija ngrohtë brenda. Kur hyri në makinë kishte ngrirë, ishte shumë i ftohtë dhe nuk më lejonte ta prekja, sepse kishte frikë mos ftohesha unë. Aty kuptova sa i kujdesshëm ishte për mua.

Sa ditë keni ndenjur në arrati?

STRESI: Shumë kemi ndenjur, 2 javë.

Po prindërit e tu Kejsi çfarë bënë?

KEJSI: Ata nuk e dinin që isha në Shqipëri, mendonin se isha në shkollë pasi ne u takuam fshehtas. Dhe telefonatat nuk i hapja me numër, por ‘Whatsapp’ që të mos kuptohej numri. Motra ime madje e kishte lexuar në portale që ai ishte në kërkim dhe më thotë mua, por unë i thashë që gënjejnë portalet.

STRESI: Problemi në këtë mes ishte babai im. Ai më bërtiste pse e kisha marrë me vete gocën (Kejsin) dhe nuk pranonte ta takonte atë sepse familja e saj nuk dinte gjë.

Marrëdhënia e Stresit me vjehrrën sot si është?

KEJSI: Kur vjen mami me makinë e dalloj gjithmonë sepse ngre muzikën e Stresit në maksimum. Kudo që shkon dëgjon këngët e tij. Mami im dhe Arkimedi janë tipa të njëjtë dhe e di çfarë na ndodh. Kur më shohin mua me mamin e tij i thonë sa të mirë e ke vajzën, ndërsa kur ishte një ditë Stresi te shtëpia ime erdhi pastruesja dhe ju drejtua mamit duke i thënë: “Sa të qenka rritur djali”, – ngaqë edhe ngjajnë.

STRESI: (Qesh) Dhe unë u detyrova të sqaroja situatën, që jam dhëndri jo djali se i biri është 12 vjeç kurse dhëndri 32.

Sa vite diferencë keni?

KEJSI: Kemi 9 vite diferencë.

Kur i ke takuar për herë të parë mamin dhe babin e Stresit, çfarë të kanë thënë?

KEJSI: Si fillim dua të them që janë njerëz shumë të mirë, fantastikë. Por kam takuar gjyshin të parin dhe gjithçka shkoi shumë mirë.

Si ishte për ty Stresi që pas gjithë eksperimenteve, nga ‘bad boy’ të kthehesh në djalin e mirë?

STRESI: Unë vazhdojë të jemi ‘bad boy’, por jo në kuptimi djalë i keq, por djalë i prapë. Ne e kemi si rracë këtë, mbas të 35-ave i thërrasim mendjes (qesh), i përkushtohemi familjes, madje fillojmë shëndoshemi. Por Shqipëria nuk do më bëjë mirë, them të largohem, duhet ndryshim. Nuk do të jetë e thjeshtë, muzika është e rëndësishme dhe i kam kushtuar jetën, jam munduar ta lë, por kthehem prapë. Janë 11 vite investim, por familja është më e rëndësishmja.

Ke provuar t’i kushtosh ndonjë këngë Kejsit?

STRESI: Ja kam kushtuar, është kënga ‘Femër prej Shqipërie’. Kur e nxora i thashë ta gëzosh. Madje në atë kohë nuk flisnim fare, më kishte bërë ‘block’ në çdo rrjet social dhe gjithçka. Në ‘Instagram’ kemi vendosur të mos e ndjekim njëri-tjetrin, ajo mund të ma shohë në 100 mënyra, unë e kam më të vështirë.

KEJSI: Po në ‘Instagram’ nuk i bëj ‘follow’, sepse më vijnë të gjithë fansat e flaktë të tij. Madje zihemi për fotot që hedh me mua. I them fshiji gjithmonë se më duket sikur na ‘kap syri’.

A është e vështirë kjo marrëdhënia me mesazhe dhe telefonata? Sa ka qenë telefonata më e gjatë mes jush?

KEJSI: 3 orë më duket, por ne flinim me kamera hapur dhe kur zgjohej Stresi më thërriste. Kështu zgjohesha edhe unë, ndonjëherë trembesha.

STRESI: E ka pasur metodë për të më ruajtur (qesh).

KEJSI: A ruhet ky? E kemi parë që ka ikur edhe nga ballkoni. Unë them gjithmonë po të mos jem në shtëpi me të nuk fle, se e di që po bën diçka, më ndizet radari. Ka gjithmonë një mënyrë që të mbërrijë lajmi tek unë edhe kur nuk më tregon ai dhe kjo lidhet me faktin që është person publik. Mua më tregonin ku ishte dhe e pyesja, ai më thoshte jam në lagje, dhe nuk e pranonte derisa i çoja foto e kështu zbulonte ‘spiunin’ dhe shkonte zihej me to (shoqet e mia).

Ka plane për martesë?

KEJSI: Ne të martuar jemi, por nuk kemi bërë dasmë. Planet i kemi, por me kismet, sepse është pak vështirë. Unë kam familjen jashtë dhe Stresi është duke mbaruar albumin e fundit. Unë e mbështes në karrierë, por për të dy ai duhet ta bëj këtë gjë, kur t’i mbyllë të gjitha dhe të bëhen letrat për të ikur jashtë do bëjmë dasmën.

Pra do t’i japësh fund me muzikën, ky është plani yt?

STRESI: Plani im për karrierën është ta mbyll me një album që do i bëj të gjithë të qajnë. Do tregojë prapaskenat e reperave, do tregoj gjithçka që njerëzit nuk dinë, çdo gjë të ‘neveritshme’ që ata kanë bërë, nëpërmjet tekstit të këngës. Unë nuk kam qenë këngëtar, por misionar në muzikë.

Çfarë mendon të bësh pas muzikës?

STRESI: Të ikim njëherë dhe atje ku do shkoj do e bëj ‘pellgun’ tim siç kam bërë gjithmonë. Diku larg Shqipërisë.

Të bezdis ty Kejsi vëmendja që ju kushtojnë të dyve?

KEJSI: Mua po, sepse jam tip i mbyllur. Nuk dua të jem modelja, por fotografja. Unë dua gjërat e thjeshta dhe televizioni apo gjërat e ngjashme me të nuk i dua fare.

A ka qenë Stresi një nga artistët e tu të preferuar?

KEJSI: Ai është i vetmi artist shqiptar që unë dua të dëgjoj, pavarësisht se më ka rastisur të dëgjoj edhe të tjerë. Ndërsa më parë unë nuk e dija sa i madh ishte pasi jetoja në Kanada, madje jam çuditur kur kam parë si reagonin në koncert njerëzit për të. Kur ishim në shtëpi e prekja dhe thoja nuk mund ta besoj që ky është i dashuri im. Unë mendoj se Stresi është shumë i talentuar, por nuk i ka rënë karrierës mbrapa.

Si ka qenë fejesa juaj?

STRESI: Ne nuk jemi fejuar, jemi martuar direkt.

Po propozimi si ka qenë?

KEJSI: Unë nuk kam dashur kurrë të më ulet në gjunjë dhe të më bëjë një propozim, sepse do të sikletosesha. Kemi vendosur shumë thjeshtë. Duke biseduar me familjet tona menduam për planet për njëri-tjetrin dhe vendosëm, pastaj ndamë datën. Shkëmbyem nishanet dhe ndoqëm të gjitha traditat e tjera shqiptare. U veshëm thjesht, mblodhëm njerëzit më të afërt dhe aq ishte. Celebrimi ishte siç doja unë ndërsa dasma do jetë sipas Stresit, siç do ai, e madhe.

E mendoni të keni një fëmijë?

KEJSI: Jemi akoma të rinj, duam të shijojmë kohën bashkë, do udhëtojmë dhe kur të vendosim do jetë padyshim koha e duhur për të dy.

Pushimet këtë vit si do jenë për ju?

STRESI: I kemi filluar në fakt. Kemi pushuar 5 ditë në Sarandë dhe kështu mendojmë t’i bëjmë edhe në vazhdim, të vendosim detinacionet dhe të ikim disa ditë në vende të ndryshme. Ne jemi nga ata njerëz që në 1 të natës ndajmë mendjen dhe nisemi. Me mua nuk bëhen plane për të nesërmen, vendos direkt.

Në 3 vite bashkë, çfarë urreni dhe doni më shumë te njëri-tjetri?

KEJSI: Mua të gjitha më pëlqejnë te ai, vetëm pak gjëra nuk dua. Një ndër to është që gënjen kot për gjëra pa rëndësi, ndoshta e bën për të më nervozuar. Por ai do fillojë të mësohet me të vërtetën dhe nuk do bëj më të tilla gjëra.

STRESI: Nuk dua xhelozinë, por e justifikoj dhe është një barrë që do e duroj. Ndërsa ajo që më pëlqen më shumë është thjeshtësia. Unë kurrë nuk kam dashur të kem të bëj me një femër të showbiz-it. Kejsi është e fokusuar te unë dhe është dashuri e pastër e pa hile. Për më tepër ma do familja (qesh)./revistawho

Facebook Comments

MineralHygienics.com