December 25, 2024

Pse u vonua 11 vite busti i Pjetër Arbnorit?

Nga Taulant Balla

Dje dhe sot pati disa reagime si pjesë e debatit të natyrshëm publik që pasoi ceremoninë e djeshme në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë për vendosjen e bustit të ish-Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, njeriut të urtë e të mençur Pjetër Arbnori, një iniciativë e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi në bashkëpunim me familjen Arbnori dhe ish-deputetin Besnik Mustafaj.

Pjetër Arbnori do të mbetet figura e vetme e rëndësishme politike, që pasi vuajti personalisht 28 vite burg u shfaq si një politikan me nota të forta tolerance, po ashtu edhe me integritet të lartë moral.

Siç shkruante dje gazetari Mero Baze, mik i afërt i Pjetër Arbnorit: “Ai ishte një “antipart” i Sali Berishës brenda PD-së, një njeri që përfaqësonte historinë e persekucionit komunist në Shqipëri, tolerancën dhe etjen për demokraci e pluralizëm”.

Por nuk dua të hyj fare në debatin se pse partia e sotme e Pjetër Arbnorit nuk pati asnjë kontribut në këtë ceremoni që duhej të ishte zhvilluar shumë vite më parë, se pse këshilltarët e PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës nuk e votuan vendimin për vendosjen e bustit në oborrin e Kuvendit, apo tek historia qesharake e ftesave të ish-kolegëve demokratë të Arbnorit, të cilëve partia e sotme nuk u paska as numrat e telefonit e as adresat.

Por nga opozita erdhën edhe akuza.

Një ndër to ishte edhe për cilësinë artistike të bustit. Madje për “shëmtinë” artistike të kësaj vepre një zë i opozitës akuzoi Kryeministrin Edi Rama. Se ç’lidhje ka Edi Rama këtu hajde gjeje.

Për publikun, jo për opozitën, duhet sqaruar se autori është një artist shkodran Sadik Spahia, i cili ka plot vepra të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj, ndër to spikat Monumenti i Dëshmorëve të 2 Prillit në Shkodër dhe që ka sqaruar vetë frymëzimin e tij artistik në punimin e kësaj vepre.

Pse u zgjodh ky artist dhe kush e zgjodhi?

Në vitin 2007, një vit pas ndarjes nga jeta të zotit Arbnori, Ministria e Kulturës hapi një konkurs për punimin e një busti për nder të ish-kryeparlamentarit Pjetër Arbnori, konkurs që shpalli si fitues pikërsht bocetin e skulptorit Sadik Spahia. Pra, para 11 vitesh.

Por busti nuk u vendos dot për 11 vite. Pse nuk u vendos, pse u la në harresë?! Nuk dua të bëhem pjesë e këtij debati.

E rëndësishme është se busti u bë dhe u vendos më 19 Korrik 2018.javanews.al

Facebook Comments

MineralHygienics.com