November 26, 2024

Gjermani, shtohen sulmet kundër hebrenjve dhe izraelitëve

Nga Patrick Große, Deutsche Welle

“Ludwig Fischer” ka shkruar sërish. Yorai Feinberg është mësuar tashmë. Një herë në disa ditë, gastronomi i Berlinit merr e-maila nga një njeri që e quan veten “Ludwig Fischer”, me emrin e një nga ish bashkëpunëtorët e Hitlerit. Feinberg është “mi i pisët”,  Holokausti është “hedhje hi syve”, dhe të gjithë hebrejtë do përfundojnë në furrat e gazit.

Deri tani Feinbergu ka mbledhur 60 faqe me e-maile me urrejtje, të shkruara nga “Ludwig Fischer”. 60 faqe fyerje, mohime të Holokaustit dhe kërcënime. “Unë nuk e marr më seriozisht këtë punë. Nuk e marr më as personalisht”, thotë Feinberg.

Kufiri i tabuve zhvendoset

Kur izraeliti erdhi 6 vjet më parë në Gjermani, e ndiente veten mirë: “Unë isha direkt shumë i mirëpritur në Berlin,” tregon ai. Feinberg ka jetuar më parë në Vjenë, atje klima kundër hebrejve dhe izraelitëve nuk ishte kaq e çtencionuar si në Gjermani. “Por kohët kanë ndryshuar, ato janë bërë më të vështira.”

Muajt e fundit ka pasur gjithnjë e më shumë sulme kundër hebrejve në Gjermani. Pak kohë më parë një profesor amerikan u sulmua në Bonn nga një gjerman me origjinë palestineze. Në muaji prill vëmendje mori goditja me rrip e një izraeliti që mbante kipa në Berlin.

Por sidomos në internet janë shtuar sulmet edhe fyerjet kundër hebrejve dhe izraelitëve. Këtë e tregon një studim i Universitetit Teknik të Berlinit. Studiuesit kanë analizuar 300 000 tekste të shkruara në mënyrë anonime. Pjesa më e madhe vjen nga mediat sociale. Rezultati: Kundër hebrejve nuk ka vetëm shprehje urrejtjeje, tekstet janë bërë më radikale. “Kufiri i tabuve lëviz”, shpjegon Monika Schwarz-Friesel. Ajo drejton studimin e bërë në Institutin e gjuhës dhe komunikimit. “Njerëzit përdorin anonimitetin e internetit për të bërë komente antisemite”.

Urrejtje kundër hebrejve në mesin e shoqërisë

Yorai Feinberg i përjeton armiqësimet në mes të rrugës në Berlin. Në dhjetor 2017 një burrë e ofendoi minuta të tëra para restorantit të tij. Skenën e xhiruar në videon ai e hedh në internet. Solidariteti është i madh dhe vjen nga e gjithë Gjermania. Por që atëherë ai ka ndjerë gjithnjë e më shumë armiqësi. “Problemi nuk janë disa njerëz të këqinj, por shumë vetë që shkojnë me ta”, shpjegon Feinberg.

Edhe studimi i bërë në TU e Berlinit e konfirmon këtë. “Antisemitizmi vjen kryesisht ga skena ektreme e djathtë dhe nga skena populiste”, thotë Schwarz-Friesel duke folur për rezultatet e studimit. Por edhe e majta politike, njerëz liberalë dhe myslimanët janë parë të bëjnë komente antisemitiste. “Antisemitizmi në jetën e përditshme që vjen nga mesi i shoqërisë është më i rrezikshmi”, thotë studiuesja. Komentet radikale shpesh hidhen poshtë si tjerrje. Kurse sapo kemi të bëjmë me antisemitizëm edhe nga shoqëria e arsimuar, pranueshmëria është gjithnjë e më e madhe.

Paragjykime të vjetra

Armiqësitë kundër Yorai Feinbergut vijnë kryesisht nga spektri i djathtë. Për këtë nuk flet vetëm pseudonimi “Ludwig Fischer”, por edhe mailat vetë kanë një model të caktuar. Përpiluesi i tyre mohon Holokaustin dhe thotë se kampet e përqëndrimit nuk kanë ekzistuar. Hebrejtë kanë qenë vetë përgjegjës për vrasjen masive në Luftën e Dytë Botërore, dhe vrasjet nuk janë bërë nga nacionalsocialistët.

Përgjegjëse për këtë zhvillim janë shumë gjëra thotë Yorai Feinberg: “Atmosfera në Gjermani është bërë më ekstreme në të gjitha drejtimet. E djathta bëhet gjithnjë e më ektreme, si reaksion edhe e majta bëhet ekstreme”. Edhe shtimi i migracionit në Evropë luan një rol.

Kualiteti i ofendimeve dhe armiqësive nuk duket se ka ndryshuar. “Ne u trembëm vetë kur pamë se paragjykimet ndaj hebrejve në shekullin e fundit nuk kanë ndryshuar”, tregon Monika Schwarz-Friesel nga TU Berlin. Hebrejtë vazhdojnë të shihen si “e keqja e botës”, që duhen shuar. Argumentet e antisemitistëve sot nuk janë të ndryshme nga ato të shekullit të 16-të. Por shpesh paragjykimet e sotme përzihen me kritikat ndaj Izraelit.

Facebook Comments

MineralHygienics.com