Regjisori Altin Basha i është futur një përpjekjeje të dëshpëruar për të justifikuar në sytë e publikut se ai nuk është përdorur si një vegël e Erion Veliajt për punën e Teatrit.
Ai dha pak ditë më parë një intervistë për gazetën “Panorama”, ku pretendonte se Aleanca për mbrojtjen e teatrit e kishte tradhëtuar, se aktorët nuk dinin çfarë donin dhe se së fundi lëvizja tashmë ishtë bërë pronë e PD-së.
Por këto argumente, që i ka shpërndarë të gatshme në të gjitha mediat zyra e propagandës e bashkisë, ka pak gjasë të jenë të besueshme. Jo vetëm për faktin se arsyetimet e Altin Bashës ranë që ditën e parë, kur ndryshe nga sa kishte premtuar Veliaj, shumica socialiste e votoi menjëherë ligjin, pa përfillur as premtimet për konkurs ndërkombëtar, as marrjen e mendimit nga një përfaqësi aktorësh, por edhe për kundërpërgjigjen që Basha ka marrë nga kolegët e tij.
Një nga ish-bashkëprotestuesit, kryetari i sindikatës së aktorëve, Alert Çeloaliaj, po në të përditshmen “Panorama”, i ka përgënjeshtruar një e nga një pretendimet e regjisorit të “Portokallisë”.
Sipas tij, ai nuk është mandatuar nga Aleanca për mbrojtjen e teatrit, as nuk përfaqësonte sindikatën e aktorëve dhe aq më pak atë personalisht, kur vendosi të përqafohet, të pozojë dhe të bërtasë: arritëm marrëveshje me kryebashkiakun.
“Mendimi im është se z. Basha ka gjithë të drejtën të takohet me kë të dojë dhe ku të dojë për çështjet që e shqetësojnë. Por kjo e drejtë nuk vjen bashkëngjitur me të drejtën për të përdorur emrin tim për të përligjur veprimet që ai ndërmerr. Nuk është e vërtetë se unë, qoftë personalisht, apo si kryetar i SASE, t’i kem kërkuar z. Basha të më përfaqësojë, mua apo SASE, në takimin e dt. 27 qershor.
Së pari e pohon kontradikta kur thotë se, po citoj: “në takim do të shkonim unë, Arben Derhemi, Alfred Trebicka dhe Alert Çeloaliaj”, e më pas, po citoj: “ …kur u takuam për të shkuar në bashki, Derhemi më thotë që Çeloaliaj nuk vjen…”. Nëse do të isha pjesë e takimit, përse do të më duhej të përfaqësohesha nga z. Basha?! Nëse mori vesh që nuk do të shkoja, ku dhe kur i kërkova të më përfaqësonte?!”.
Pra është e qartë që në vështirësi për të mbrojtur imazhin e vet publik, Basha bën disa falsifikime të vogla në rrëfimin e historisë. Dhe e gjitha kjo për të përligjur faktin se ai nuk ishte thjeshtë një velinë në teatrin e përgatitur më parë nga Veliaj.
Pyetja sot nuk është a u tradhtua Basha nga Aleanca për mbrojtjen e teatrit, që nuk ia pranoi negocimin, por pse i tradhtoi ai miqtë e tij protestues ? A e bëri nga padija apo thjeshtë se Veliaj e manipuloi me metodat që di ai?
Një pjesë të këtyre pikëpyetjeve i ka sqaruar vetë Altin Basha që kur ka filluar të përdorë argumente nga ato më bajatet që shpërndan zyra e dezinformimit në bashki.
Lapsi.al