November 26, 2024

Analistët serbë: Intensifikimi i takimeve, shpresë për marrëveshje të shpejtë për Kosovën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq filloi sot vizitën zyrtare në Francë, gjatë së cilës ai të martën do të takohet me presidentin Emmanuel Macron. Pas Parisit, Vuçiq udhëton për në Bruksel ku do të mbahet të mërkurën raundi i ri i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Analistët serbë thonë se është e qartë se po intensifikohen takimet dhe se Brukseli shpreson për një zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës.

Pas takimit dhjetorin e kaluar gjatë samitit për klimën në Paris, Vuçiq, siç njofton presidenca serbe, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, shkoi në një vizitë dyditore në Francë.

“Gjatë kësaj vizite pune, presidenti Vuçiq do të bisedojë me presidentin Macron për marrëdhëniet bilaterale, veçanërisht bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, pastaj për gjendjen në rajon me theks të veçantë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe integrimin evropian të Serbisë”, thuhet në kumtesën e Presidencës, raporton televizioni “N1”.

Kryetarja e Qendrës për Politikë të Jashtme, Aleksandra Joksimoviq, thotë se kjo është një vizitë shumë e rëndësishme, sepse roli i Francës në Bashkimin Evropian po forcohet në mënyrë konstante, për shkak të Brexit -it dhe përpjekjeve të presidentit Macron në procesin e reformave të Bashkimit Evropian, përcjell Telegrafi.

“Pa dyshim se do të ketë bisedime edhe lidhur me normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Në këtë moment, një rol kyç e luan BE-ja. Nga ana tjetër, Gjermania është përfshirë në kanale të ndryshme në këtë proces, por unë besoj se në këtë moment edhe Franca do të shpreh interesin e saj aktiv lidhur me nënshkrimin e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Joksimoviq.

Në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit, Alekasndar Vuçiq të mërkurën në Bruksel do të bisedojë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Vuçiq tha se është shumë e vështirë për të përballuar me “nyjën e Kosovës”, por se ky problem nuk  duhet t’u lihet brezave të ardhshëm.

“A do të kemi sukses? Unë nuk jam i sigurt. Nuk iu besoj atyre në Prishtinë, dhe nuk kanë besim të mjaftueshëm në ata që deri tash iu ndihmuan në shkatërrimin e Serbisë. Por kjo nuk do të thotë se unë nuk do të luftoj. Dhe për çdo gjë që luftoj do t’ua them të vërtetën dhe nga ju do të kërkoj të nxirrni gjykimin përfundimtar – nëse Serbia mundet në të ardhmen, ose Serbia këtë nuk mund”, tha Vuçiq.

Joksimoviq theksoi se “pa asnjë dyshim po vjen deri te intensifikimi i takimeve në nivelin më të lartë politik, gjë që tregon se llogaritet që në një afat të shkurtër kohor do të vijë deri te një zgjidhje”.

“Mendoj se do të bëhen përpjekje të rëndësishme për të arritur një zgjidhje kompromisi brenda mandatit aktual të Komisionit Evropian. Pra, kjo është vitin e ardhshëm”, tha ajo. /Telegrafi/

Facebook Comments

MineralHygienics.com