November 27, 2024

Makinat, dieta dhe droga. Ja jeta “fenomenale” e Kristiano Ronaldos

E gjithë Torino është gati që të përqafojë Kristiano Ronaldon, sidomos tifozët e Juventusit, të cilët tani e tutje do të kenë mundësinë që ta shohin dhe ta përshëndesin edhe rrugëve të qytetit. Sigurisht që sportdashësit kanë nisur të ëndërrojnë gjëra të mëdha, por ndërkohë ata do të nisin ta njohin nga afër dhe të mësojnë edhe më shumë në lidhje me veset e tij jashtë fushës, jetën private ndoshta, hobet, familjen, por edhe faktin se ai ka një zemër të madhe, edhe pse shpeshherë nuk e jep këtë përshtypje. Gjithsesi, për të mbërritur deri në këtë ditë, Ronaldo ka vuajtur shumë, por falë sakrificave dhe dramave të mëdha, ka arritur që të jetë ky fenomen madhështor i këtij sporti.
PASIONET E “CR7”-ës
E para, mbi të gjitha, janë makinat. Gjithçka lindi kur ishte një fëmijë, në kohët e të rinjve të Sportingut të Lisbonës. Klubi e kishte si rregull që me turne, lojtarët duhej të derdhnin plehrat, duke shtyrë një karrocë të mbushur me to, të cilën e quanin Ferrari. Por në një prej ditëve kur Ronaldos i ra radha për ta bërë këtë, një grup shokësh e tallën: “Ja ku po vjen Ronaldo me Ferrarin e tij”. Dhe blerja e re e Juves ishte i bindur në atë që do të arrinte: “Ju qeshni, por një ditë do ta kem një Ferrari reale. Do ta shihni”. Dhe gjejeni pak sesi përfundoi… Garazhi i makinave të portugezit kap shifrën e 10 milionë eurove: Lamborghini Aventador LP 700-4, një BMW M6, Bugatti Veyron 16.4 Grand Sport e zezë (afro 2 milionë euro), Bugatti Chiron e argjendtë (2.8 milionë euro), një Ferrari, një Porsche, një Maserati, një Mercedes, një Audi, një Rolls Royce, një Bentley, një Range Rover, një Chevrolet dhe një McLaren. Dhe kush e di që në mos mbërritjen në Itali të mos e festojë, duke u bërë vetes një tjetër makinë “modeste” si dhuratë…
Pas makinave vjen pasioni për muzikën. Lloji që pëlqen më shumë është reggaeton, hip-hop dhe R&B. Për sa i përket spektaklit, Ronaldo ka konfirmuar gjithmonë se nëse nuk do të bëhej futbollist, do të niste karrierën si balerin apo aktor. Ndër protagonistët e ekranit që adhuron janë: Anxhelina Zholi, Denzel Uashington dhe Xhim Karri. Filmat aksion janë të preferuarit e tij, por çmendet pas “Universal Soldier”. Edhe pse nuk duket, një tjetër hobi i madh i Ronaldos është bingo. Sa herë që ka mundësinë, ai shkon me miqtë e tij që të dëfrehet, sepse sipas portugezit, “nuk ka asgjë më të bukur teksa pret që të dalë sfera fituese dhe të mundësh shokët e tu”. Madje, kur shkoi në Mançester, shkonte shpesh në bingo, për të mësuar më shpesh edhe gjuhën angleze dhe nuk hoqi më dorë kurrë.
DIETA E RREPTË
Një tjetër pasion i Ronaldos është ushqimi. Ai është i fiksuar pas dietës, e cila përbëhet nga gjashtë vakte të përditshme, të cilat ndiqen me një rreptësisë të frikshme. Ushqimi i tij, i shoqëruar edhe më stërvitjen, bën që ai për të mbajtur trupin në formë, edhe pse vitet kalojnë, çdo vit të jetë një kilogramë më i lehtë në peshë, pasi kështu ruan edhe ritmin në fushë, që i kërkohet në nivelet e larta që ai luan. Gjithsesi, kur ka mundësinë që ta shkelë dietën e tij, Ronaldo dorëzohet vetëm përballë “bakalhao”-s, një specialitet luzitan, i përbërë nga merluc, vezë, patate të skuqura dhe qepë. Për sa i përket alkoolit, zero birra apo pije me gaz. Thjesht gjysmë gote verë nëse rasti e kërkon.
JETA PRIVATE
Për kampionin portugez nuk ekziston asgjë më e shenjtë në botë, sesa jeta private, Ssesa shtëpia e tij. Fundja, kundrejt të gjithë zhurmës që ai thith rreth vetës, është shtëpia e tij vendi ku mund të qëndrojë në heshtje dhe larg çdo gjëje. Madje, në Madrid, ai iu vendosi si kusht punonjësve që kujdeseshin për mirëmbajtjen e shtëpisë së tij, që të nënshkruanin një kontratë privatësie, e cila i ndalonte që të flisnin jashtë për jetën e tij, ndryshe do të përballeshin me dëme kolosale. Dhe nuk është çudi që ta bëjë të njëjtën gjë edhe në Torino. Familja e tij aktualisht përbëhet nga djali Kristian Jr, binjakët Eva e Mateo dhe Alana Martina, vajza e pasur së fundmi nga e fejuara Xheorxhina Rodrigez. Familja ka një rëndësi të madhe për Ronaldon, sepse këtë ia ka indoktrinuar e ëma, Dolores, ajo që gjithmonë e ka inkurajuar për të vazhduar edhe në momentet më të vështira të adoleshencës.
Që në vegjëli, ai tallej shpesh nga shokët e shkollës, për theksin e tij, madje edhe nga vetë profesoresha e tij, të cilët bënë që Ronaldo edhe t’i kërcënonte se do t’i thyente karrigen në kokë. Por edhe në këto momente, Dolores gjithmonë e qetësonte dhe e mësonte të ecte në rrugën e duhur, pavarësisht dramës që pushtoi familjen e tij. Vëllai i madh, Hugo, ishte një person i varur nga droga, por 250 mijë eurot që ai përfitonte si rrogë te Sportingu, ia dhuroi vëllait që të kurohej. Pas një periudhe ku u duk sikur u ndal, Hugo nisi sërish problemet me drogën dhe më pas edhe Dolores, një pastruese, sakrifikoi një pjesë të madhe të 580 eurove që përfitonte në muaj. Por kur Hugo ra sërish në grackë, fatmirësisht Ronaldo kishte kapur majat dhe fitonte shumë, duke e kuruar përfundimisht vëllain në klinikën më të mirë të botës dhe duke i shpëtuar jetën. Një tjetër moment kritik ishte vdekja e babait, Denis, vetëm 50-vjeçar, për shkak të probleme me alkoolin. Për këtë arsye, Ronaldo ka vendosur që të luftojë të gjithë këto vese, për faktin se mjaft plagë i kanë shkaktuar duke prekur të dashurit e tij. Me pak fjalë, Ronaldo është një fenomen, si brenda, ashtu edhe jashtë fushe…

Facebook Comments

MineralHygienics.com