Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, e cilësoi paketën e re fiskale një paketë solidariteti për sipërmarrjen e vogël dhe fermerin në fshat. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Ahmetaj tha se me paketën e re, 91 për qind e sipërmarrjes e ka fitimin zero ose 5%.
“Paketa ka 3 elemente të rëndësishme. Ofron ulje të tatimfitimit në 5%, ulje të TVSH-së për akomodimin dhe ushqimin për agroturizmin nga 20 në 6%, si dhe për ato biznese që do të kenë rishtas investim në agroturizëm, taksa e infrastrukturës është zero. Kjo paketë lehtësish, që mund të quhet edhe paketë solidariteti, e ndihmon sipërmarrjen e vogël të zhvillohet në favor të ekonomisë familjare. Me këto lëvizje, me këto lehtësime fiskale që po bën qeveria sot dhe që aprovon ky Parlament, 91% e sipërmarrjes në Republikën e Shqipërisë e ka tatimfitimin ose zero, ose 5%”, tha Ahmetaj.
Sipas ministrit të Financave, “Qeveria jo vetëm që ka ulur taksat, por ne po ulim dhe borxhin. Po ulim borxhin. Kemi 3 vite rresht që qeveria me operacionet e veta të përditshme nuk krijon borxh të ri. Përkundrazi, kursen dhe trajton borxhin e trashëguar nga ju, të munguar”. Për Ahmetajn, synimi i qeverisë është një rritje ekonomike me 5 për qind që të ndihet në ekonomitë e çdo shqiptari.
“Ne çfarë bëmë me sipërmarrjen? I hoqëm duart që këta të munguarit (opozita) i kishin futur në fyt. Këtë bëmë ne. Ne bëmë gjënë më të thjeshtë që bën një maxhorancë. Këta këtu që mungojnë, i kishin futur duart në fyt sipërmarrjes. Ne e çliruam sipërmarrjen. Do të vazhdojmë ta çlirojmë, sepse ka akoma shumë punë për të bërë. Ka akoma shtrëngesa të paarsyeshme në terrenin ekonomik dhe këtu e ftoj sipërmarrjen që të na ndihmojnë, sepse jemi në një proces konsultimi akoma për paketën fiskale të vjeshtës, të na thotë ku akoma gishtat e këtyre kanë mbetur në fyt të tyre, që t’i heqim, ta çlirojmë komplet sipërmarrjen dhe të realizojmë atë ëndërr që kemi, t’i japim Shqipërisë rritje ekonomike mbi 5 %, që të përfitojë çdo qytetar, nga Kukësi, nga Tropoja, nga Saranda, nga Korça, nga Gjirokastra, nga Vlora, nga Tirana, nga Fieri, nga Lezha, nga Dibra, gjithandej”, tha Ahmetaj. Ulje të taksave qeveria ka sjellë dhe për fermerët. Ministri Ahmetaj shpjegoi se si mund të përfitojnë fermerët nga kjo ulje.
“Në kuadër të mbështetjes së sektorit të bujqësisë, qeveria ka sjellë uljen e normës së tatimfitimit korporativ nga 15% në 5 % për fermerët e inkorporuar në Shoqatat e Bashkëpunimit Bujqësor. Nëpërmjet instrumenteve fiskale, që janë dy në fakt, një e bëmë përpara disa kohësh me TVSH-në, një po e bëjmë tani duke ulur tatimfitimin nga 15 % në 5 %, po promovojmë bashkimin e fermerëve në mënyrë që politika e zhvillimit bujqësor dhe rural të ketë mundësi të injektohet, të përpunohet, të zbatohet dhe të zërë vend më kollaj”, tha Ahmetaj.