Vendimi i Edi Ramës, i kthyer në ligj me votat e ushtarëve të tij, përveç Pandeli Majkos, që pas debatit u largua nga salla, ka sjellë reagime të shumta.
I fundit ndër reagimet e bëra është ai i ish-deputetit të PS-së, Andis Harasani. Pak me ironi e pak me të vërteta Harasanit tregon se Rama e luftoi për 20 vite Teatrin Kombëtar dhe më në fund ja doli të mposhtë armikun e tij.
Reagimi i plotë i Andis Harasanit:
Urime z. Kryeministër qe arrite te fillosh procedurën për prishjen e teatrit!
Kishe 20 vite që luftoje. Kushdo që të del kundra nuk të kupton. Ashtu siç nuk të kuptojnë ata që bëjnë çka u thoni ju, qoftë me votime, ndërtime, veprime e mos veprime.
Dhe nuk Ju kuptojnë se analizat për Ju i bëjnë duke e kthyer çështjen nga vetja. E duke u nisur nga ajo çka ata do bënin o s’do bënin fillojnë analizat e sugjerimet se çdo bëni Ju.
Por Ju jeni ndryshe. Nuk keni dysheme e as çati. Ju keni vetëm qëllime e dëshira. Dhe nevojat i ndërtoni mbi qëllimin e momentit. Ju nuk keni plane afatgjatë, por keni memorie afatgjatë. Kushdo që ju ka dalë kundra ju do e rrezoni.
Unë jam mëse i bindur e jam gati të vë dorën në zjarr që Ju nuk keni asnjë qëllim korruptiv tek Teatri.
Prapë njerëzit gabojnë, sipas meje, kur mendojnë se ju e bëni për përfitime. Ata nisen nga vetja dhe raporti i tyre me paranë. Ju nuk keni lidhje me paranë, siç nuk keni as me ekonominë, artin, punën në ekip, shoqërinë e pafund gjëra të tjera.
Për ju Teatri ishte armiku që ju rezistoi para 20 vitesh! Armiku është armik. Qofte ai frymor ose jo frymor!
Dhe sot ju ja latë qëndresën. Ashtu si keni bërë me këdo që ju ka kundërshtuar në një periudhe ose në një tjetër.
Ju nuk harroni kurrë zoti Kryeministër dhe kjo ju bën të jeni ai që jeni.
Dhe do vazhdoni të jeni për dekada sepse njerëzit do vazhdojnë të ju analizojnë me kriteret e vetes!
P.S. Unë nuk do habitesha nëse pas firmës tuaj vite më parë për të prishur kinema 17 Nëntorin ose Republikën të qëndronte ndonjë inat i ditëve kur ishit fëmijë dhe për një arsye ose një tjetër nuk gjetët dot bileta për të ndjekur me shokët e klasës ndonjë film madhështor të tipit ‘Semiramida e Babilonisë’ ose ‘E dashura ime Libera’!