Një tjetër fjalim ka qenë ai i deputetit Dashamir Shehi në Kuvend.
Nga foltorja e Kuvendit Shehi u shpreh se është momenti që tua themi troç shqiptarëve që negociatat nuk janë hapur, dhe se Shqipëria nuk ka mbetur në klasë po ka humbur vitin.
Ai shtoi më tej se nuk ka asnjë qeveri në Europë që nuk kujdeset për ekonominë si kjo e jona.
Fjala e deputetit të PD-se Dashamir Shehit:
Realiteti është se na e kanë shtyrë dhe me një vit, po që dhe për vitin tjetër nuk kemi garanci, pasi na e shpjegoi ministri që do të jetë në proces zgjedhjesh për vetë BE-në. Kjo është një ditë e keqe, e zezë për Shqipërinë dhe dikush duhet të na mbajë përgjegjësi. Për këtë jemi mbledhur, jo për të na shpjeguar kalendarin retro.
Unë kuptova që këtij djali i kanë vënë dhe një Europë pas, i kanë shtuar dhe një turp domethënë. Nga 5 na i bënë 13 kushtet, nuk na lanë për vjeshtë, po na humbi vitin. Jo vetëm që nuk plotësuam kushtet, po nuk kemi plotësuar ca kushte të tjera, që ne nuk kemi shtet. Ekonomia jonë rritet me 2-3 % në vit, kemi shkuar në një sakrificë ndaj qytetarëve. Kemi pesë vite që nuk rrisim pagat dhe pensionet, përveç të ndonjë 2-mijë lekëshi të vjetër.
Kush është kjo qeveri dhe ku ka ndonjë qeveri në Europë që rregullon politikat makroekonomike në kurriz të qytetarëve të vetë. Kush është ajo qeveri që euro shkon në fund dhe nuk ndërhyn në treg. Ç’na duhet ne Europa sa kohë që kombi ynë është zbrazur. Lajmi për refugjatët nuk doli kot, dikush e ka shkruar nën tavolinë. Ka vetëm një mundësi që të dalim nga kjo situatë, në vjeshtë bëjmë reformë të re zgjedhore, dhe administrative, dhe bëhemi të gjithë bashkë për ta zgjidhur.