Tatimet nisin kontrollet në zonat turistike. Përgjatë gjithë sezonit të verës do të inspektohen më shumë se 20 mijë biznese. Vizitat e para të tatimorëve kanë nisur përgjatë subjekteve në zonën e Gjirit të Lalzit në Durrës.
Inspektorët do të verifikojnë nëse bizneset janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në administratën tatimore, nëse kanë dokumentacionin e plotë të mallrave në gjendje apo në transport, nëse lëshojnë kuponin tatimor për çdo shitje që kryejnë, nëse i kanë të afishuara listën e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë dhe do të kontrollohen punonjësit nëse janë apo jo të regjistruar.
Në një njoftim për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shprehet se nuk ka për qëllim ndëshikimin e ndërmarrjeve por edukimin dhe ndërgjegjësimin e tyre për të përmbushur detyrimet që kanë në mënyrë vullnetare.
Tatimet njoftojnë se do të jenë kudo, në të gjithë territorin e Shqipërisë për të kontrolluar çdo biznes gjatë sezonit turistik./Klan