November 27, 2024

Kina fton vendet anëtare të OKB të shfrytëzojnë stacionin e saj hapësinor

Kina shpalli ditët e fundit se mirëpret të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara të zhvillojnë bashkëpunim për përdorimin e stacionit të saj në hapësirën kozmike.

“Përdorimi i stacionit hapësinor kinez nuk është i kufizuar vetëm te Kina, por është i hapur edhe ndaj botës. Të gjitha vendet anëtare të OKB-së, pavarësisht nga madhësia dhe niveli i zhvillimit, mund të marrin pjesë në këtë bashkëpunim me status të barabartë”, tha z. Shi Zhongjun, ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Kinës në OKB dhe organizatat të tjera ndërkombëtare në Vjenë, sipas CRI, Radio e Jashtme e Kinës.

Stacioni hapësinor i Kinës do të lëshohet vitin tjetër dhe do të fillojë nga funksionimi para vitit 2022. Ai do të jetë stacioni i parë hapësinor në botë që prodhohet nga një vend në zhvillim dhe i vetmi stacion hapësinor i hapur ndaj të gjitha vendeve anëtare të OKB-së. Të gjitha organizatat publike dhe private, duke përfshirë institute, akademi, universitete dhe sipërmarrje private të orientuara nga kërkimet shkencore mund të aplikojnë për projekte bashkëpunimi, qoftë për mbjellje të një bime në hapësirën kozmike apo akomodim të një astronauti, tha ambasadori kinez në ceremoninë e publikimit të ftesës nga ana e Kinës për përdorimin e stacionit të saj hapësinor nga vendet anëtare të OKB-së. Ndërkohë, Zyra për Çështjet e Hapësirës së Jashtme e OKB-së (UNOOSA) u shpërndau njoftime vendeve përkatëse për dorëzimin e aplikimeve para fundit të gushtit.

Me një modul ku do të jetojnë dhe punojnë astronautët dhe dy të tjera për eksperimente, stacioni hapësinor i Kinës do të jetë në gjendje të akomodojë tre astronautë në të njëjtën kohë dhe gjashtë në përgjithësi gjatë periudhës së ndërrimit. Me një orbitë rreth 400 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, stacioni mund të përdoret për kërkime në fusha të shumta, si shkencat e jetës, bioteknologji, mikrogravitet, shkencat e tokës dhe teknologjia hapësinore.

Trupi kryesor përbërës i stacionit hapësinor i Kinës quhet “Tianhe”, që në gjuhën kineze do të thotë “Harmonia e qiellit” që pasqyron dëshirën e Kinës për paqe dhe nxitjen e besimit të ndërsjellë në mbarë botën. “Nëpërmjet stacionit hapësinor, ne dëshirojmë të krijojmë një model bashkëpunimi për eksplorimin dhe shfrytëzimin e hapësirës kozmike me përfitime të përbashkëta. Nën drejtimin e konceptit për një të ardhme të përbashkët të të gjithë njerëzimit, stacioni hapësinor i Kinës do të bëhet një shtëpi e hapur me paqe dhe dashamirësi,” tha ambasadori Shi.

Facebook Comments

MineralHygienics.com