Tre vendburime nafte në Jug të vendit janë kthyer në “mollë sherri” dhe po sjellin vetëm telashe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kur ende ka debat për mënyrën sesi u procedua për shpalljen si fituese të garës për këto vendburime të kompanisë Transoil AG, një tjetër përplasje është regjistruar në Gjykatën Administrative të Apelit. Bëhet fjalë për padinë e depozituar nga shoqëria “Jurimex Komerz Transit GmbH” dhe regjistruar në datë 13 qershor ku të paditur janë Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë dhe kompania shtetërore Albpetrol. Në objekt të padisë janë katër pika.
Padia e Shoqërisë “Jurimex Komerz Transit GmbH”
Në padinë e depozituar pranë Gjykatës Administative të Apelit kërkohet pezullimi i një urdhri të këtij viti i cili nxirrte jashtë lojë kompaninë Jurimez Komerz Tranzit GmbH.
Konkretisht në këtë padi kërkohet “Marrja e masës së sigurimit të padisë, pezullimin e zbatimit të urdhrit Nr. 150, date 06.02.2018 të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ‘Për fillimin e procedurave për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure për vendburimet ekzistuese “Cakran-Mollaj”, “Gorisht-Kocul” dhe “Amonicë”, duke pezulluar procedurat për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure për vendburimet ekzistuese “Cakran-Mollaj”, “Gorisht-Kocul”.
Anulimin e urdhrit Nr. 150, datë 06.02.2018 të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ‘Per fillimin e procedurave per lidhjen e marreveshjeve hidrokarbure për vendburimet ekzistuese “Cakran-Mollaj”, “Gorisht-Kocul dhe “Amonice”. Anullimin e urdhërit nr. 69/3 prot, date 10.01.2018 “Mbi anulimin e procedurave për lidhjen e Marrëveshjeve Hidrokarbure për vendburimet “Cakran-Mollaj” dhe “Gorisht-Kocul”. Detyrimin e të paditurve të lidhin marrëveshjet hidrokarbure vendburimet ekzistuese “Cakran-Mollaj”, “Gorisht-Kocul, me fituesin shoqërine “Jurimex Kommerz Transit GmbH” thuhet në objektin e padisë.
Historia e negociatave për vendburimet
Në fillim të vitit 2017 pas disa inspektimeve dhe konstatimit të shkeljeve kompanisë TransAtlantik do t’i hiqej e drejta mbi vendburimet Gorish-Kocul dhe Cakran-Mollaj. Vetëm pak kohë më pas radha do të ishte për kompaninë Phoenix së cilës ju hoq e drejta mbi vendburimin Amonicë. Interesi për këto vendburime ka qenë i lartë por për të paktën një vit nuk pati asnjë shpallje publike nga ana e institucioneve për t’i nxjerrë ato në gaarë.
Në vitin 2017 do të qarkullonin disa dokumente që tregonin se parimisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte lejuar Albpetrol që të hynte në negociata për të arritur një marrëveshje hidrokarbure me shoqërinë “Jurimex Komerz Transit GmbH”, një kompani kjo e regjistruar në Austri.
Por pavarësisht këtij autorizimi Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë Damian Gjiknuri firmosi në shkurt të këtij viti një urdhër që autorizonte Albpetrol që të ndiqte procedurat për shprehje interesi nga ana e investitorëve pikërisht për këto blloqe. Afati për shprehjen e interesit ishte deri më 31 mars dhe të paktën nëntë kompani shumica me marrëveshje hidrokarbure aktive me qeverinë shqiptare shprehën interes për të përfituar tre vendburimet. Në finale kompania që u shpall fituese ishte Transoil e cila ka nën shfrytëzim vendburimin e Visokës./Monitor