Greqia dhe Maqedonia bien dakord për zgjidhjen e grindjes shumëvjeçare për emrin. Tani duhet të vendosë parlamenti grek, por ai është i përçarë. Ekziston rreziku i një konflikti të politikës së brendshme në Athinë.
Nga Deutsche Welle
Kjo është “një fitore e madhe diplomatike, por edhe një shans i madh historik”, deklaron kryeministri grek Alexis Cipras në një fjalim të transmetuar në televizion të martën (12.06)në mbrëmje. Sido që të jetë “fqinjët e veriut” kanë rënë dakord ta quajnë vendin e tyre “Maqedonia e Veriut” (Severna Makedonija). Ky emër, shtoi Cipras, vlen “erga omnes” (për të gjithë). Që do të thotë jo vetëm Greqia, por të gjitha vendet e botës duhet ta quajnë vendin fqinj me emërtimin “Maqedonia e Veriut”.
Nëse kjo do të ndodhë nuk dihet, sepse mbi 140 vende të botës e kanë njohur tashmë shtetin e ri me emrin e ankoruar në kushtetutë si “Republika e Maqedonisë”. “Nëse marrëveshja midis Athinës dhe Shkupit do të ketë jetë apo jo, varet në fakt nga erga-omnes- pra nga efekti i saj”, thotë Jorgos Tzogopoulos, profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Trakës, në bisedë me DW.
I sigurt për këtë është Konstantinos Filis, drejtor i kërkimeve në Institutin e Athinës për marrëdhëniet ndërkombëtare. “Drejtimin themelor që ka marrë çështja unë e vlerësoj si pozitiv”, thotë ai. Disa pika kanë nevojë për shpjegime, si për shembull çështja nëse Greqia e njeh gjuhën maqedonase. Ose futjen e nënshtetësisë “maqedono-veriore”. Me saktësi për këto gjëra mund të flitet kur të publikohet teksti i marrëveshjes, shjegon Filis për DW.
Sipas mediave greke njoftimet që nuk janë konfirmuar ende thonë, se Alexis Cipras dhe kolegu i tij maqedonas Zoran Zaev do të takohen ditët e ardhshme në Liqenin e Prespës, në trekëndëshin midis Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, për të nënshkruar marrëveshjen dhe për të filluar një epokë të re bashkëpunimi. Më parë ministri i Jashtëm maqedon Nikola Dimitrov bëri një vizitë të shkurtër në Berlin.
Ministri i Jashtëm Kotzias mbetet i sigurtë
Se si e përfytyron të gjithë këtë ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, e shpjegon në emisionin televiziv “Kontra Channel” ditën e hënë (11.06). “Ne na duhet një marrëveshje, që mund t`i rezistojë kohës dhe që pranohet nga të dy popujt”, tha kryediplomati grek. “Ne nuk duam t`i bëjmë një vendi të vogël çfarë na kanë bërë të tjerët neve.” Por Kotzias nuk thotë për kë e ka fjalën.
Sidoqoftë ai u tregua i kënaqur nga rezultati i bisedimeve: Greqia fitoi në disa gjëra, që janë “pretendimet e saj për territore, njohjen e kufijve ekzistues, qëndrimet ndaj spekullimeve mbi një pakicë këtu në vend dhe efektin erga-omnes”. Kjo mbetet koseguente nëse edhe pala tjetër përfiton diçka, thotë Kotzias.
Grinjda për emrin ka 25 vjet që vazhdon. Mbas shpërbërjes së Jugosllavisë më 1991, shteti në veri të Greqisë ka shpallur pavarësinë me emrin “Republika e Maqedonisë”. Greqia e pretendon këtë emër për vete dhe ka frikë nga pretendimet territoriale të fqinjit sllav mbi provincën me të njëjtën emër. Prej kohësh qeveria greke ka refuzuar të gjitha llojet e kompromiseve që përmban mbiemrin “i, e, të, së Maqedonisë”. Sidoqoftë të dy vendet ranë më 1995 dakord për një marrëveshje të përkohshme, mbasi Athina e njohu vendin fqinjë me emrin provizor “Former Yugoslav Republic of Macedonia” (FYROM). Skeptikët në Hellas nuk duan ta përdorin vetë këtë emër dhe flasin për një “shtet shkupjan”.
Që prej marrjes së pushtetit prej të majtëve në Athinë, më 2015 dhe sidomos pas ndërrimit të qeverive në Shkup më 2017 të dy vendet janë përpjekur shumë për të zhvilluar një proces të ri për çështjen e emrit dhe me sa duket me sukses. Pas marrëveshjes midis Ciiprasit dhe Zaevit mund të fillojnë bisedimet për pranimin e vendit fqinj në NATO, thotë Nikos Filis.
Kuriozitete të politikës së Athinës
Mes të tjerash është rritur pasiguria në politikën e brendshme në Athinë. Partia populiste e djathtë ANEL, partnere e re në qeverinë e koalicionit të kryesuar nga kryeministri i majtë Cipras, nuk pranon asnjë lloj kompromisi në grindjen për Maqedoninë. Tek kjo çështje nuk ka ndryshuar asgjë, paralajmeroi të martën (12.06) kryetari i ANEL-it dhe ministër i Mbrojtjes Panos Kammenos. Nëse një nga deputetët e tij voton në parlament për kompromisin, atëherë ai do të largohet nga partia, kërcënoi ai duke çuditur po ashtu me thënien se do të vazhdojë t`i mbetet besnik koalicionit, nëse Cipras e bën kompromisin.
Pa partinë ANEL kryeministri i majtë nuk ka shumicën e mjaftueshme për të aprovuar në parlament marrëveshjen për Maqedoninë, duke u bërë kështu i varur nga votat e partive opozitare, sidomos të socialistëve. Nëse ai arrin ta realizojë këtë vepër arti, atëherë politika e Athinës do të pasurohej me një fakt interesant, që pikërisht socialistët që bëjnë opozitë frontale dhe kërkojnë zgjedhje të reja, ia japin votën duke e siguruar mbijetesën e Ciprasit, ndërkohë që aleatët bëjnë opozitë duke mos u larguar nga qeverisja.