Struktura e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë nisi verifikimet për veprimet apo mosveprimet e Policisë, menjëherë pas tragjedisë së ndodhur në zonën e Don Boskos më datë 8 qershor 2018, ku 31-vjeçari Xhafer Mata vrau me armë zjarri 19-vjeçaren Xhulieta Çuni e më pas edhe veten.
SHÇBA njoftoi sot se “kreu verifikimet e plota për të kqyrur veprimet policore, duke nisur me intervistimet e punonjësve, kryqrje libra shërbimi, dokumentacioni, kamera etj.
Nga gjithë verifikimet e kryera ka rezultuar se Policia ka marrë kallëzim në datën 7 maj 2018 nga shtetasja XH.Ç. për përndjekje.
Materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pas vlerësimit të kallëzimit nga Prokuroria është bërë rregjistrimi i procedimit penal, për të vijuar më pas me hetimin. Pas kallëzimit, Prokuroria nuk i ka deleguar veprime të tjera shtesë Policisë, duke vijuar vetë me veprimet hetimore.
Policia e Shtetit nuk ka marrë asnjë ankesë tjetër apo t’i jetë bërë prezent ndonjë shqetësim nga shtetasja Xh.Ç., pas kallëzimit të datës 07.05.2018.
Pra, nga verifikimet e kryera nga SHÇBA dhe analizimi i dokumentacionit të administruar, nuk rezulton se punonjësit e Policisë që kanë trajtuar ngjarjen të kenë konsumuar elementë të ndonjë vepre penale, duke shpërdoruar detyrën.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit mbetet e gatshme për të pritur çdo ankesë apo informacion për shkelje të konstatuara nga punonjës të Policisë, duke rikujtuar numrin ku mund të denoncohet falas 0800 90 90”, përfundon njoftimi.