Qeveria e Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka tërhequr nga procedura në Kuvend platformën për bisedime me Serbinë, e cila ishte paraparë të diskutohej në seancën e djeshme.
Në emër të kryeministrit Haradinaj, kërkesën që platforma për fazën finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të hiqet nga rendi i ditës e ka parashtruar në Kuvend ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
“Në emër të kryeministrit Ramush Haradinaj, me mirëkuptim, kërkoj të tërhiqet lënda projekt-platforma për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e proceduar në Kuvend me 23 prill 2018”, ka thënë Reçica, shkruan Illyria.
Sipas tij, projekt-platforma në fjalë kërkon debate e diskutime të brendshme politike për të arritur një konsensus të gjerë politik, para se të shtrohet për shqyrtim e miratim në Kuvend.
“Ky veprim bëhet në mënyrë që t’i japim kohë ndërtimit të një konsensusi sa më të gjerë nacional dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtutjeshme”, ka thënë ai.
Të hënën, me anë të një komunikatë për media, partia më e madhe parlamentare në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është në opozitë, ka bërë të ditur se nuk do ta përkrahë platformën e qeverisë për dialogun politik me Serbinë.
“Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese”, ka vlerësuar Grupi Parlamentar i LDK-së.